Dëmtohet rëndë në stërvitje, a do ta blejë PSV lojtarin e Barçës?
Integrimi i futbollit Kosovë – Shqipëri përmes kupës “Nëna Terezë”
Kosova dhe Shqipëria synojnë të kenë një garë të përbashkët futbolli. Dy federatat e futbollit, ajo nga Kosovës dhe ajo nga Shqipëria kanë punuar dhe po punojnë për realizimin e nismës për zyrtarizmin e Kupës “Nëna Terezë”, në futboll, në të cilën do të merrnin pjesë të gjitha klubet e futbollit nga të dy shtetet.
Zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës, kanë deklaruar se ky format i garës do të përfshinte të gjitha ekipet e të rriturve (senior), që janë të regjistruara në dy federatat e futbollit, në Kosovë dhe në Shqipëri, të cilat do të nisin garën që nga faza e parë, për të vazhduar drejt eliminatorëve.
Të dy federatat e kanë deponuar kërkesën për lejimin e kësaj gare në Federatën Evropiane të Futbollit (UEFA).
Në një deklarim të mëhershëm, Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu ka thënë se nuk është fjala këtu për formate gjysmake, por ku do të përfshiheshin të gjitha klubet nga Shqipëria dhe nga Kosova, duke aplikuar sistemin e garave ‘vajtje-ardhje’.
“Mëtojmë që ta bëjmë të përvitshëm, pra, kupa mbarëkombëtare Kosovë-Shqipëri. Federata Shqiptare e Futbollit ka aplikuar (në UEFA) në emër të dy federatave. Kemi kërkuar që të kemi një vend, të fituesit të garës, mbase edhe në Ligën e Evropës ose në formatin e ri të garave që do të quhet Liga e Konferencave (të UEFA-së)”, ka thënë Salihu për REL.
Marrë parasysh që organizimi i garave të tilla bartë mbi vete edhe një kosto mjaftë të lartë financiare, tani u mbetet jo vetëm federatave respektove, por edhe ministrive të sportit nga të dy shtetet, që ta analizojnë në tërësi nismën se kur mund të fillohet eventualisht të realizohet.
Po ashtu, nëse UEFA do ta përkrahë këtë nismë, atëherë do të mbetet të shihet edhe nëse fituesi i kupër “Nëna Terezë” do të arrijë të sigurojë përfaqësim në garat evropiane apo do të mbetet sistemi i tashëm i përfaqësimit.
Të dy federatat e futbollit, e Kosovës dhe e Shqipërisë, nuk do të mund ta realizojnë nismën e tyre pa një dritë të gjelbër nga UEFA.