Monday, January 24, 2022

Kurti: Nënshkrimi për linjën ajrore Prishtinë – Beograd, nuk është marrëveshje

Për kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin Kurti, dokumenti i  nënshkruar në Berlin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan Richard Grenell për linjën e fluturimeve Prishtinë – Beograd, ende nuk paraqet në fakt një marrëveshje.

Këto deklarata Kurti i bëri gjatë vizitës në Autoritetin e Aviacionit Civil i shoqëruar edhe nga ministri në detyrë i Infrastrukturës, Lumir Abdixhiku.

Sipas Kurtit, për t’u shndërruar në marrëveshje, ajo duhet të kalojë edhe nëpër shumë hapa të tjerë, por që për shkak të pandemisë edhe kjo çështje si shumë të tjera është ngrirë.

“Ne e dimë versioni final të marrëveshjes që mua më është prezantuar me vonesë, pra atëherë kur edhe negocimi edhe draftimi kishin përfunduar”, tha Kurti.

“Mund të them që jemi për sa më shumë bashkëpunim rajonal, por ky bashkëpunim rajonal duhet t’i ketë dy gjëra themelore parasysh: e para, kushtetutshmëria e ligjshmëria dhe e dyta, rentabiliteti ekonomik”, theksoi ai.

(Photo by Armend NIMANI / AFP)

“Të gjitha bashkëpunimet tona të cilat përfshijnë bashkëpunimin ekonomik duhet të jenë të leverdishme dhe të qëndrueshme. Ajo nuk është një marrëveshje, por një shprehje e vullnetit, duhet të kalojë edhe shumë hapa të tjerë që të kthehet në marrëveshje, por jemi në kushte pandemie që ka ngrirë një varg aktivitetesh e procesesh, e duket që një prej tyre është edhe kjo”, tha kryeministri në detyrë, Kurti.

Kurti gjatë vizitës në Autoritetin e Aviacionit Civil, ka takuar edhe anëtarët e Bordit dhe ushtruesin e detyrës së drejtorit, Arianit Islami.

Po të hënën, Kurti pritet të flasë para Universitetit të Harvardit, përmes një online konference edhe në lidhje me akuzat që po i bëhet për anti-amerikanizëm.

- Advertisment -

Lexoni