Saturday, January 22, 2022

Kurti thotë se nuk mund të kërkohet që të zgjedhësh mes SHBA-së dhe BE-së

Kosova nuk mund të zgjedh mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, ka deklaruar kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti. Ai tha se Kosova ka nevojë si për SHBA-në, ashtu edhe BE-në, në mënyrë që të shmanget ndikimi i Rusisë.

Këto komente, Kurti i bëri gjatë një adresimi virtual foli sot para studentëve të Universitetit të Harvardit për rëndësinë që ka Bashkimi Evropian. Ai u është përgjigjur disa pyetjeve, ndër të cilat edhe një pyetjeje rreth anashkalimit të NATO-s nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump.

Diskutimi u moderua nga Ambasadori Nicholas Burns, Profesor i Praktikës së Diplomacisë dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare.

Kryeministri theksoi se ai angazhohet për një aleancë trans-atlantike dhe se ideja se duhet zgjedhur mes BE-së dhe SHBA-së është dilemë false sepse duhen të dyja. Pa BE-në dhe tregun e tyre nuk do të kemi zhvillimin që na duhet dhe pa Amerikën nuk kemi mbrojtjen që nevojitet.

“Pa NATO-n e humbim edhe BE-në dhe nëse e humbim atë, fituese është Federata Ruse. Askush në SHBA nuk mund të fitojë nëse e humbim BE-në”, ka thënë Kurti.

Ai tha se për Kosovën është me rëndësi të ketë aleancë me SHBA-në, me NATO-n, por edhe me BE-në.

Kurti, rikujtoi se është i vetëdijshëm që pa ndërhyrjen e NATO-s Kosova nuk do të ishte sot shtet i lirë.

​Por, edhe këtë herë, Kurti nuk është pajtuar me insistimin e të dërguarit amerikan për dialogun mes Kosovës e Serbisë, Richard Grenell dhe kërkesën e tij që të arrihet një marrëveshje e shpejtë historike.

Kurti tha se “Grenell ka kërkuar një marrëveshje të shpejtë dhe se ka një përshtypje se ai nuk ia deshi të keqen popullit shqiptar dhe Kosovës, por nuk ka nevojë të ngutet.

“Ai dëshironte marrëveshjen si qëllim të tij kryesor. Ai në tetor më tha se dëshiron marrëveshje në shkurt, dhe tash dëshiron të arrihet marrëveshje deri në shtator”, ka thënë Kurti.

Ai tha se është për dialog të përgatitur mirë, me SHBA dhe BE si ndërmjetësues. Diskutimi i sotëm i Kurtit me Universitetin e Harvardit kishte si qëllim të demaskojë edhe kritikat ndaj kryeministrit në largim se ai po mbanë një pozicion anti-amerikan, akuza këto që Kurti i ka hedhur poshtë shpesh, por nuk e ka mohuar se nuk pajtohet me shumë kërkesa të administratës aktuale në Uashington në lidhje me dialogun me Serbinë.

- Advertisment -

Lexoni