Hill në Luginë: Do të shoh se çfarë mund të bëj kur të kthehem në

Frika nga Covid-19 – kufizime për festën e Fiter Bajramit
Festa e Fiter Bajramit, në vendet me popullatë shumicë myslimane, ka ngjallur reagime shtesë të autoriteteve në përpjekje të luftimit të përhapjes dhe shpërndarjes së koronavirusit.
Fiter Bajrami, është festa kur myslimanët solidarizohen me njëri tjetrin pas muajit të shenjtë të Ramazanit dhe zakonisht përcillet me vizita të shumta familjare.
Kjo traditë, bie ndesh me rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe masat e qeverive të vendeve botërore të cilat ka rreth dy muaj që po zbatojnë politika të izolimit dhe ndalimit të takimeve, ahengjeve e festave familjare, për të shmangur kështu kontaktet mes njerëzve në përpjekje të luftimit të përhapjes së virusit korona.
Në Kosovë, me rekomandimin e autoriteteve shëndetësore, Bashkësia Islame e Kosovës ka vendosur që xhamitë të mbahen të mbyllura për Bajram.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka deklaruar se xhamitë do të vazhdojnë të jenë të mbyllura, përfshi edhe festën e Fitër Bajramit, më 24 maj.
“Për Bashkësinë Islame të Kosovës ka qenë tejet e vështirë pezullimi i faljeve me xhemat i namazeve ditore dhe tubimeve tjera”, ka thënë Tërnava.

Një vend tjetër që po e mendon mbylljen për Bajram është Turqia.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan njoftoi se vendi do të futet në izolim të plotë për katër ditë, duke filluar që nga data 23 maj.
Ky vendim, siç tha Erdogan, është marrë në kuadër të përpjekjeve për të frenuar përhapjen e koronavirusit, teksa vendi do të kremtojë Festën e Fitër Bajramit.
Duke folur pas takimit të kabinetit qeverisës, Erdogan po ashtu tha se shkollat nuk do të rihapen gjatë këtij viti akademik, duke shtuar se mësimi në shkolla do të nisë në shtator, në vitin e ri akademik.
President turk po ashtu tha se xhamitë, nga 29 maji do të rihapen për besimtarët për të kryer lutjet e mesditës dhe pasdites.
Edhe vende tjera, kanë paralajmëruar besimtarët se do të ketë kufizime për Fiter Bajram, duke u përpjekur që të shmangim sa më shumë takimet mes njerëzve.
Koronavirusi i ri i shfaqur fillimisht në Kinë dhe i përhapur më pas në gjithë botën, përcillet me shfaqjen e sëmundjes së quajtur Covid-19, nga e cila tashmë llogaritet se kanë vdekur qindra mijëra njerëz në mbarë botën.