Veprimet e autoriteteve lënë për të dëshiruar, jemi dy ditë para sfidës me Izraelin

Kurti: Jam i kërcënuar nga “Garda Vullnetare Shqiptare”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, përmes një postimi në facebook ka publikuar kërcënime në adresë të tij që i vijnë nga një organizatë fantome, me emërin “Garda Vullnetare Shqiptare”.
“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura “Garda Vullnetare Shqiptare”, në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, ka shkruar Kurti në facebook.
“Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata”, ka shkruar ai.
“Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t’i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, thuhet në reagimin e kryeministrit në detyrë.
Sipas tij, dekreti i Presidentit për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër nuk është amandament kushtetute.
“Për çka nuk flet Kushtetuta nuk mund të flasë Presidenti. Ai duhet ta respektojë Kushtetutën dhe nuk mund ta shkruajë atë. Ne jemi duke i ndjekur me kujdes zhvillimet teksa po presim Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në këtë reagim të Kurtit në rrjetet sociale.