Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Kurti: Kalendari i dialogut me Serbinë varet nga Brukseli
Kalendari i takimeve të ardhshme në mes Kosovës dhe Serbisë varet nga Brukseli, ka deklaruar kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Ndonëse tashmë qeveria e tij është shkarkuar nga Kuvendi me anë të mocionit të mosbesimit, Kurti tha se do të jetë ai që do të përfaqësojë Kosovën në dialog, duke e arsyetuar këtë me faktin se kishte paraprakisht edhe një vendim të gjykatës që thotë se kryeministri përfaqëson vendin në dialog.
“Unë jam në kontakt të rregullt me përfaqësuesin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ai natyrisht që është duke përgatitur fillimin e dialogut. Ne kërkojmë që ky dialog të jetë me parime dhe i përgatitur, i organizuar mirë”, tha Kurti, transmeton kp.
“Jemi gati, kemi përvojë, do t’i mbrojmë interesat e shtetit tonë dhe do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës ashtu siç e thotë Kushtetuta, ashtu siç e thonë ligjet tona dhe ashtu siç na njeh populli i Kosovës”, u shpreh ai.
“Pra, varet prej Brukselit kalendari i dialogut të ardhshëm dhe në bazë të Kushtetutës të Republikës së Kosovës dhe aktgjykimit nga viti i kaluar Kosovën e përfaqëson kryeministri i saj”, deklaroi Kurti pas vizitës në Suharekë.

Gjatë javës, Kurti ka zhvilluar një bisedë telefonike me Përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Në një komunikatë për media, thuhej se Kurti ka përsëritur përkushtimin e tij për një dialog me parime, të përgatitur mirë ku e rëndësishme është përmbajtja e marrëveshjes dhe ku qytetarët janë përfitues të saj.
Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është ndërprerë që prej fundit të vitit 2018, kur Qeveria e Kosovës, që atëbotë udhëhiqej nga Ramush Haradinaj vendosi taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Serbia refuzoi t’i rikthehej tavolinës së bisedimeve pa heqjen e taksës.
Qeveria në detyrë e Kosovës, më 1 prill të këtij viti ka hequr taksën 100 për qind dhe ka vendosur masën e reciprocitetit me Serbinë. Ky vendim u mirëprit nga BE-ja, por jo edhe nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kërkuan nga Prishtina zyrtare të heqë taksën, por pa vendosur parimin e reciprocitetit.