
Nëse bëhet qeveria Hoti, LDK premton 400 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe kandidati i saj për kryeministër, Avdullah Hoti premtojnë investime prej 400 milionë euro për rimëkëmbje ekonomike. Një plan i tillë, do të vinte në shprehje nëse Hoti do të arrinte të formonte qeverinë e re të Kosovës, në bazë të dekretit për mandatarin të presidenti Hashim Thaçi.
Por, aktualisht, dekreti nuk po mund të zbatohet, pasi që lënda është në trajtim në Gjykatën Kushtetuese.
Hoti takoi sot deputetët e LDK-së ku ai prezantoi disa nga pikat programore, në rast se LDK vjen në pushtet mbi bazën e koalicionit me AAK-në, Nismën Socialdemokrate dhe komunitetet pakicë.
Pas këtij takimi Sekretari organizativ i LDK-së, Arban Abrashi tha para gazetarëve “qeveria Hoti” synon që deri në vjeshtë të ndajë 400 milionë euro.

“Programi qeverisës do të ketë dy shtylla. E para për menaxhimin e pandemisë, ku synojmë të përfshijmë të gjitha protokollet, sidomos ato të Komisionit Evropian dhe e dyta, rimëkëmbjen ekonomike”, tha Abrashi.
Sipas tij, çdo ditë e humbur me qeverinë Kurti po shkakton dëme ekonomike për bizneset.
“Ne synojmë të kemi një pako gjeneroze, ku deri në vjeshtë do të shpërndajmë së paku 400 milionë euro, e më të kalojmë edhe te një miliard euro, që e ka përmendur kryeministri Hoti”, theksoi Abrashi.
Paraprakisht Avdullah Hoti ka shkruar në facebook se nëse ai do të merr nën drejtim qeverinë do të investojë për rimëkëmbje ekonomike e shkaktuar nga pandemia.
“Në programin për rimëkëmbje ekonomike te Qeverisë së re kemi paraparë dyfishim të të gjitha subvencioneve në bujqësi, krahas masave për mbështetje të kredive bujqësore dhe investimeve në sisteme të ujitjes”, ka shkruar Hoti.