
Kurti e pranon aktgjykimin e Kushtetueses “përderisa ai është interpretim i kushtetues”
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se ai do ta pranojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, “përderisa ai është interpretim i kushtetues siç është misioni i Gjykatës Kushtetuese”.
Gjykata Kushtetuese pritet të shpallë këto ditë vendimin në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Megjithatë, Kurti, sikur e ka lënë të hapur edhe mundësinë e kontestimit të aktgjykimit në rast se me të caktohen afate brenda të cilave obligohet partia fituese ta ofrojë emrin e mandatarit.
“Unë dua të besoj që ata do të bëjnë vlerësimin në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme. Nuk bëhet fjalë për asnjë cenim nga ana ime. Përkundrazi, unë jam i interesuar që ata të mbrohen maksimalisht. Ne do të respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese përderisa ai është interpretim i kushtetues siç është misioni i Gjykatës Kushtetuese”, tha ai.
Dilemat në lidhje me aktgjykimin e Kushtetueses ndërlidhen me paralajmërimet që ajo t’i caktojë Lëvizjes Vetëvendosje një afat prej 10 – 15 ditëve për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë. Nëse as brenda këtij afatiVetëvendosje dhe Kurti nuk e dërgojnë emrin e mandatarit, atëherë do të vinte në shprehje zbatimi i dekretit të presidentit që qeverinë ta formonte një shumicë tjetër parlamentare, në këtë rast LDK-ja me partitë partnere.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të merret ditëve të ardhshme, përkatësisht deri më 29 maj.