Është lodra më e njohur në botë, por shpikësja e saj nuk ka fituar asnjë

SHBA i ndanë Kosovës edhe 500 mijë dollarë për luftimin e koronavirusit
Pas ndihmës prej 1.1 milion dollarëve të ndara në fund të muajit mars, Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë ndarë Kosovës edhe 500 mijë dollarë të tjerë për t’u përballë me betejën me koronavirusin.
Ambasadori amerikan në Prishtinë, Philip Kosnett ka shkruar në rrjetet sociale se “Sekretari i Shtetit, Mike Pompeo, ka njoftuar një pako globale ndihmëse të re të Departamentit të Shtetit dhe USAID-it për t’u përballur me koronavirusin”.
“Për Kosovën kjo pako shton edhe 500 mijë dollarë për ato 1.1 milionët e zotuar nga SHBA-ja për të përkrahur Kosovën përballë koronavirusit”, ka thënë, Philip Kosnett.
Ndërkaq USAID-Kosova ka njoftuar përmes një komunikate se që nga rasti i parë i infeksionit me COVID-19, që u konfirmua më 13 mars, ndihma është përqendruar në bashkëpunimin me punëtorët e vijës së parë të betejës me koronavirusin për të ngadalësuar përhapje, në sigurimin e kujdesit për të prekurit si dhe pajisjet e nevojshme për të luftuar koronavirusin.
“Ne kemi shpërndarë 239 pako higjienike nëpër qendrat shëndetësore, 8950 pako familjare dhe 1200 pako për fëmijë në të gjitha 38 komunat e Kosovës. Lufta kundër COVID-19 ende nuk ka mbaruar, prandaj kjo ndihmë shtesë nga populli amerikan do të vazhdojë të sigurojë mbështetje operacionale dhe të rrisë aftësinë e reagimit të duhur nga ana e Kosovës në ndalimin e përhapjes së mëtutjeshme të COVID-19 dhe zbutjen e pasojave të saj”, thuhet në njoftimin e USAID-Kosova.
Aty thuhet se gjatë 20 vjetëve të fundit, shuma e gjithmbarshme që SHBA-ja ka investuar në Kosovë tejkalon shifrën prej 772 milionë dollarë.