Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Shkenca një hap më afër ilaçit për migrenën
Studime më të reja klinike mbi migrenën kanë rezultuar në zbutjen e sulmeve nga dhimbjet që shkakton ajo nëse përdoren dy antitrupa.
Menjëherë pas këtij studimi, shumë kompani farmaceutike kanë rritur prodhimin e ilaçeve me antitrupa kundër migrenës.
Bëhet fjalë për trajtimin me antitrupat farmaceutikë Erenumab dhe Fremeneuzumab. Studimi ka përfshirë mbi 900 persona që kishin sulme nga migrena të paktën 8 herë në muaj.

Sipas studimeve të bëra, geni kalcitoninë, që përbën një agjent kimik në tru, është përgjegjës jo vetëm për dhimbjen e kokës, por edhe ndjeshmërinë ndaj zhurmës dhe dritës në rastin e migrenës.
Në bazë të rezultateve të studimit testues doli se të paktën 50 për qind e pjesëmarrësve të cilët morën antitrupin Erenumab nëpërmjet injeksionit, përjetuan një përgjysmim të goditjeve të migrenës.
Kurse 41% nga më shumë se 1100 pacientët që morën pjesë në studimin e dytë, përjetuan përgjysmim të goditjeve të migrenës.
Shkencëtarët britanikë mendojnë se studimet më të reja tregojnë një qasje të re në parandalimin dhe zbutjen e goditjeve mujore të migrenës.
Statistikat aktuale tregojnë se një në shtatë njerëz në mbarë botën përjeton rregullisht agoninë e migrenës.

Shkencëtari Peter Goadsby nga qendra kërkimore NIHR i tha BBC-së se gjetjet e studimeve janë tejet të rëndësishme për kuptimin e sëmundjes dhe trajtimeve të saj.
Duke mos pasur një ilaç adekuat kundër migrenës, deri më tani kryesisht janë përdorur medikamente kundër epilepsisë, sëmundjeve të zemrës apo edhe botoks. Shkencëtarët kanë bërë të ditur se këto medikamente nuk funksionojnë për të gjithë dhe kanë efekte anësore.
Kështu që shpresat e shkencëtarëve tani qëndrojnë në këto dy antitrupa të cilat nuk shoqërohen me efekte anësore mund të zgjidhin apo të paktën të zbusin sulmet e migrenës te shumë njerëz.
Megjithatë, problemi me antitrupat qëndron te fakti se ato janë shumë më të shtrenjta se çdo terapi tjetër kundër migrenës.
Në bazë të statistikave migrena, sidomos ajo kronike, llogaritet të jetë ndër shtatë problemet shëndetësore më të rënda që prek një njeri gjatë jetës së tij.