Nemanja Millosheviq për Geopost: Vuçiq pret Putinin në Danub dhe Trumpin në Shtëpinë e Bardhë,

FITËR BAJRAMI PA VIZITA FAMILJARE
Nisur nga frika e përhapjes së koronavirusit, dy ditët e fundit, përfaqësuesit më të lartë politikë, ata fetarë si dhe ata të institucioneve shëndetësore u kanë bërë thirrje qytetarëve që të shmangin vizitat familjare për festën e Fitër Bajramit.
Besimtarët myslimanë në Kosovë si edhe ata në mbarë botën kremtojnë festën e Fitër Bajramit pas muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë së cilit, sipas besimit Islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Vizitat familjare janë një prej traditave kryesore të kësaj feste, por të cilat sivjet kërkohet të anulohen për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri, i cili shkakton sëmundjen Covid-19.
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka drejtuar një kërkesë të gjithë qytetarëve, posaçërisht besimtarëve myslimanë, që të respektojnë masat anti-koronavirus dhe të shmangin vizitat familjare për festën e Fitër Bajramit.

“Me këtë rast, IKSHPK shprehë mirënjohje dhe respekt për përkushtimin që besimtarët kanë treguar gjatë gjithë muajit të Ramazanit në zbatimin e rekomandimeve tona. Ne besojmë se një mënyrë e këtillë e manifestimit të besimit do të tregohet edhe gjatë festës së Bajramit të Madh”, thuhet në një komunikatë për media.
“Prandaj, duke pasur parasysh se rreziku nga COVID-19 nuk ka kaluar ende, IKSHPK bënë thirrje që në këto ditë feste të shmangen vizitat tradicionale tek familjarët dhe tek njëri-tjetri, dhe të vazhdohet me zbatimin e rekomandimeve të IKSHPK dhe të MSH, ashtu siç jeni udhëzuar gjithashtu edhe nga Bashkësia Islame e Kosovës”, vijon komunikata.
Një kërkesë të ngjashme gjatë ditës e kishte edhe Bashkësia Islame e Kosovës dhe Myftiu Naim Tërnava.
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava ka falënderuar besimtarët për durimin dhe kulturën e lartë që kanë treguar gjatë kësaj kohe të pandemisë duke respektuar udhëzimet nga BIK-u, por edhe nga institucionet shëndetësore.
Ai ka udhëzuar qytetarët që për shkak të situatës kur namazin e Fitër Bajramit nuk do të mund ta falin në xhami, të gjejnë kohë të lexojnë Kuran-in.
“Besimtarët pas namazit të sabahut të lexojnë Kuran, tekbire, salavate, dua e lutje të ndryshme dhe kjo festë të përjetohet sikur të ishin në xhami”, ka thënë Tërnava, duke kërkuar që për festën e Fitër Bajramit të mos dilet nga shtëpia duke pasur kontakte fizike për shkak të rrezikimit të shëndetit publik.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka biseduar me Myftiun Tërnava perms një video-konference kur ata përsëritën thirrjen drejtuar qytetarëve që t’i shmangin vizitat tradicionale familjare në nder të Fiter Bajramit pasi që virusi vazhdon të jetë në mesin tonë. Sipas ekspertëve shëndetësorë, përhapja me e madhe e virusit bëhet pikërisht gjatë vizitave familjare, në ambiente të mbyllura, ku ndërveprimi fizik është i afërt.
Edhe presidenti Hashim Thaçi e kishte të njëjtën kërkesë për qytetarët, të cilën e transmetoi përmes një postimi në Facebook.
“Rreziku nga pandemia ende nuk ka kaluar, prandaj u bëj thirrje që në këto ditë feste të shmangen vizitat tradicionale te njëri-tjetri, sepse vetëm me disiplinë dhe kujdes të shtuar mund t’i gëzohemi së shpejti edhe tejkalimit të kësaj situate”, ka shkruar Thaçi.
Të shtunën, janë regjistruar edhe 7 raste të reja me infeksionin Covid-19 në Kosovë. Nga 306 mostra të marra nga Klinika Infektive, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, 7 dolën pozitive, prej tyre 3 nga komuna e Prizrenit 3 raste (sipas vendbanimit:1 rast Gërnçar, 1 rast Jabllanicë dhe 1 rast Prizren), po ashtu 3 raste edhe nga komuna e Vushtrrisë si dhe 1 rast me vendbanim në Prishtinë.
Ndërkohë, 3 pacientë janë shëruar, duke rrumbullakuar në total numrin prej 785 raste të personave të shëruar.
Deri më sot, në Kosovë janë testuar gjithsej 13.124 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.032 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
