Moody’s ul perspektivën për vlerësimin e kredisë së Kinës për shkak të rritjes më të

Falet Bajrami i Madh pa praninë e besimtarëve
Në Xhaminë e Madhe në Prishtinë, në prani të një rrethi të ngushtë të pjesëtarëve të Bashkësisë Islame të Kosovës është mbajtur falja e Namazit të Fitër Bajramit.
Sot, besimtarët myslimanë kudo në botë, përfshi edhe Kosovën, festojnë Fitër Bajramin pas muajit të shenjtë të Ramazanit, gjatë së cilit, sipas besimit Islam, agjërohet 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zotit.
Festa e sivjetme, po shënohet pa faljen qendrore dhe me kërkesa të vazhdueshme që të shmangen vizitat familjare, për shkak të pandemisë COVID-19.
Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava ka uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit duke thënë se sot kishte ndjenja të përziera si asnjëherë më parë, pasi është hera e parë të Fiter Bajramit, po iu drejtohet pa xhemat dhe pa faljen e namazit të Fiter Bajramit.
Megjithatë, ai tha se besimtarët myslimanë në Kosovë dhe mbarë botën, kanë arsye të ndihen të gëzuar, pasi festojnë njërën ndër festat më të rëndësishme në islam.

“Festa e Fitër Bajramit në vete ka edhe aspektin e solidaritetit, e bamirësisë, që kërkon kujdes ndaj atyre që kanë nevojë për mbështetjen e ndihmën tonë”, tha Tërnava.
“Kujdesi ndaj tjetrit e sidomos ndaj kategorive që kanë nevojë, është obligim i atyre që kanë mundësi të kontribuojnë. Andaj në këtë ditë feste kërkohet që të kemi kujdesin e duhur për fqinjin tonë në nevojë, për vëllezërit tanë në vështirësi dhe nuk mund të quhet festa e plotë kur fqinji apo vëllai jonë është në vështirësi“, tha Tërnava.
Anulimi i organizimeve fetare dhe mbyllja e xhamive për shkak të koronavirusit, sipas tij, ishin vendime të vështira, por të domosdoshme.
“Agjërimi i sivjetëm është më i ndryshëm nga vitet e tjera e më e veçantë është edhe festa e Fitër Bajramit që po e përjetojmë sot për shkak të pandemisë që ka shkaktuar virusi COVID-19, i cili na ka privuar nga shumë aktivitete e organizime fetare”, theksoi Tërnava.
“Ka një kohë për shkak të pandemisë, respektivisht për shkak të rrezikut që paraqet ky virus, jemi detyruar që të jemi të izoluar në familjet tona, të pezullojmë faljet e organizuara në xhamitë tona, të heqim dorë nga manifestimet publike, ashtu siç kemi hequr dorë nga manifestimet e falja e namazit të Fiter Bajramit. Të gjitha këto vendime jo të lehta janë marrë në të mirë të komunitetit tonë, në të mirë të shëndetit tonë, sepse këtë e kemi obligim e parim në fenë tonë“, tha ai.
Myftiu Tërnava tha se e kupton ndjesinë e besimtarëve të cilët sot nuk janë në xhami për të madhëruar krijuesin e gjithësisë.
“Ky realitet paraqet një ndjesi jo të këndshme, megjithatë domosdoshmëri për të mirën tonë dhe për të mirën e shëndetit publik. Edhe pse kemi arsye për festë kur është në pyetje shëndetit publik dhe kur përballemi me rreziqet e përgjithshme, duhet vepruar e punuar përgjegjshëm e ndërgjegjshëm, ashtu siç kërkojnë institucionet tona profesionale”, tha Tërnava.
Ai ka falënderuar institucionet shëndetësore dhe është lutur për stafin mjekësor që po përballen me rastet e infeksioneve me Covid-19.
“Ata Zoti i shpërbleftë, ndërsa ne edhe në këtë ditë feste i përgëzojmë për punën e mundin që kanë bërë“, tha ai.
Mesazhi i fundit gjatë kësaj ceremonie ishte që sot, besimtarët t’i shmangin vizitat familjare për të shmangur kështu edhe mundësinë e përhapjes dhe shpërndarjes së koronavirusit në mënyrë që kjo sëmundje të zhduket sa më shpejt dhe njerëzit t’i kthehen normalitetit.