Është lodra më e njohur në botë, por shpikësja e saj nuk ka fituar asnjë

Kurti: Unë jam i kërcënuar, Thaçi të intervistohet nga Prokuroria
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, thotë se kërcënimi i tij nga “Garda Vullnetare Shqiptare” i bërë publik ditë më parë është real, ndryshe nga çfarë pretendon Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi që e cilësoi një shpifje e fabrikuar nga zyrat e VV-së.
Për Rtv Ora, Kurti thotë se nuk trembet nga asnjë lloj kërcënimi, duke shtuar se ajo letër ishte më tepër presion ndaj Kushtetueses që me 29 maj do të vendosë për dekretin e Presidentit.
“Presidenti tha se unë e kam shkruar kërcënimin ndaj vetes, nëse ka fakte të tilla duhet urgjentisht të intervistohet nga prokuroria. Por, nuk është duke u bërë kjo gjë. Nuk ekziston ende çlirimi i shtetit të Kosovës nga këta shpërdorues, kemi vetëm qeveri të re dhe jo institucione të reja, dhe qeverinë e rrëzuan”, tha ai.
“Ka pasur kërcënim ndaj meje, kërcënim me vdekje për mua dhe familjen, e kanë bërë publike, po merren organet e ndjekjes dhe rendit me këtë punë. Ata që më njohin e dinë se te unë nuk funksionojë kërcënimet. Nuk jam person që zmbrapsem apo kërcënohem”, theksoi në këtë intervistë Kurti.

“Ka vetëm një shpjegim, praktikisht e kanë me Gjykatën Kushtetuese se mos rastësisht po ua zhvlerëson Presidentin, përkatësisht dekretin presidencial që qartazi është në shpërputhje me Kushtetutën. Ekziston një trysni në kontekstin aktual politik për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese që do ta publikojë këtë javë aktgjykimin e saj”, tha kryeministri në detyrë.
Sa u takon akuzave të fundit nga presidentit Thaçi se Kurti ka ozupuar zyrën e kryeministrit, Albin Kurti thotë se Thaçi duhet të japë dorëheqjen dhe të futet në garën zgjedhore se nuk mund të bëjë opozitë nga kolltuku i presidentit.
“Nuk mund të kam koment për një president që sillet në shpërputhje me mandatin dhe kompetencat e tij. Nuk përfaqëson unitetin e popullit, po sillet si një nga liderët opozitarë. Është mirë të dorëhiqet, të lëshojë atë ulësen ku nuk po ndihet rehat dhe të vijë në garë zgjedhore në zgjedhjet e radhës. Një president në panik, i frustruar që përpiqet të bëjë opozitën në kolltukun e Presidentit”, theksoi Kurti. Sipas tij, sa më parë që Kosova të ketë një president të ri, siç ka qeveri të re, aq më mirë do të bëhet për Republikën.