
A po shkon pandemia e Covid-19 drejt fundit?
Nga 1032 raste të konfirmuara në Kosovë me koronavirus nga data 13 mars, 2020, aktualisht edhe 214 raste janë aktive.
Si pasojë e infeksionit me Covid-19, të shkaktuar nga koronavirusi i ri, janë regjistruar 29 vdekje nga kjo sëmundje, edhe pse personat që ndërruan jetë kishin edhe sëmundje shoqëruese dhe kjo është konfirmuar vazhdimisht nga Klinika Infektive.
Aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 9 pacientë me Covid-19, prej të cilëve 4 janë në gjendje të rëndë shëndetësore.
“Prej këtyre katërve, tre janë me oksigjeno-terapi dhe 1 është në gjendje kritike”, ka deklaruar infektologu Jusuf Dreshaj për KP.
Sipas infektologut Dreshaj, me uljen e numrit të të infektuarve me COVID 19, i cili mbrëmë ishte zero, pandemisë po i vije fundi.
“Kemi pacientë të moshave të ndryshme, mirëpo këta pacientë që janë në gjendje të rëndë klinike janë të moshës së shtyrë”, ka thënë ai.
“Mendoj që jemi në bishtin e pandemisë, ashtu si të gjitha shtetet e rajonit të cilat janë aktualisht dhe mendoj që asaj po i vjen fundi”, ka thënë Dreshaj.
Nga 1 qershori, edhe Kosova sikurse vendet tjera, pritet të nisin me zbutjen e masave, duke shtuar listën e bizneseve që do të rihapen. Po ashtu, pritet të ketë lehtësime edhe në lidhje me lëvizjen e lirë, përfshi edhe hapjen e kufijve.