
Kurti: Kosova të shkojë në zgjedhje sikurse shumë vende tjera
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka rikujtuar vendimin e Kuvendit të Kosovës, dy muaj më parë, kur qeveria e tij u rrëzua me anë të mocionit të mosbesimit, të ngritur nga Lidhja Demokratike e Kosovës dhe mbështetur nga opozita.
“Sot u bënë dy muaj nga mocioni i mosbesimit. Më 25 mars krizës shëndetësore iu pat shtuar edhe ajo politike. Mirëpo, ne po ia dalim. Dje ishte dita e parë, që nga 13 marsi, pa të infektuar me virusin Corona”, ka shkruar Kurti në Facebook.
Sipas tij, nuk mun të thuhet se ka ngërç institucional, pasi që mund të gjendet rrugë zgjidhja.
“Mospajtime ka, por edhe zgjidhje ka. Në përputhje me Kushtetutën tonë nevojiten zgjedhje të reja. Ato tashmë po mbahen anembanë Evropës”, ka shkruar Kurti.
“Pas shëndetit të popullsisë dhe ekonomisë, është në pyetje edhe shëndeti i demokracisë. Zgjedhje do të ketë në qershor në Islandë, Francë dhe Serbi, kurse në korrik në Maqedoninë e Veriut, Spanjë dhe Kroaci”, ka nënvizuar ai.
Sipas tij, në Kosovë duhet të mbahen zgjedhjet. Ky qëndrim i Kurtit, është një përsëritje e pozicionit të tij se nuk mund të formohet qeveria e re e Kosovës pa zgjedhje, siç po synon Lidhja Demokratike e Kosovës me partitë partnere mbi bazën e dekretit të presidentit Hashim Thaçi.
Se a do të ketë zgjedhje apo qeveri të re, pritet që procesi të sqarohet me vendimin e ardhshëm të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës e cila ka në procedurë lëndën e ngritur nga Lëvizja Vetëvendosje.