
21 raste me kororanavirus në 24 orët e fundit në Shqipëri
Në 24 orët e fundit janë testuar rreth 262 persona të dyshuar me koronavirus, nga të cilët 21 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, gjatë përditësimit të të dhënave bëri me dije se të gjitha rastet e reja me COVID-19 janë regjistruar në Tiranë dhe nga këto 13 janë personel shëndetësor.
Mësohet se prej tyre 9 janë pa simptoma dhe të vetëizoluar, ndërsa 4 janë transferuar në spitalin infektiv. MSH raporton se vijon të ketë shtrime të reja në spitalin infektiv, ku aktualisht po trajtohen 25 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.
Në 24 orët e fundit janë të shëruar 9 qytetarë, duke e çuar mbi 800 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë. Në Shqipëri vijojnë të jenë aktivë me koronavirus edhe 205 persona.
Deri tani janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1050. Prej tyre aktualisht janë 205 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.