
Britania e Madhe kërkon nga partitë politike ta respektojnë vendimin e Kushtetueses
Britania e Madhe pret që liderët dhe partitë politike ta respektojnë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës në lidhje me mandatarin për formimin e qeverisë së ardhshme, pavarësisht se cili do të jetë ai.
Ky qëndrim është shprehur përmes ambasadorit britanik në Prishtinë, Nicholas Abbott . Ai ka shkruar në Facebook se e konsideron shumë të rëndësishëm respektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili pritet të shpallet këtë javë në lidhje me kushtetushmërisë së vendimit të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për të mandatuar Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.
“Cilido që do të jetë reagimi, është në interesin më të mirë të Kosovës, si demokraci e re parlamentare, që një ndryshim i tillë të ndodhë në mënyrë paqësore dhe të qetë, pa retorikë të ekzagjeruar politike dhe pa kërcënim për dhunë”, është shprehur ai.
Abbott po ashtu ka thënë se është detyrë e të gjithë liderëve politikë, si në institucione shtetërore apo parti politike, që të sigurojnë se nuk do të dëmtohet stabiliteti politik dhe siguria e Kosovës.