Mushkolaj: Pushteti i tretë është i eliminuar me këtë marrëveshje

Pritje të mëdha nga interpretimi i Kushtetueses për mandatarin
E gjithë vëmendja në Kosovë këto ditët e fundit është e drejtuar kah Gjykata Kushtetuese e cila këtë javë pritet të sjell aktgjykimin në lidhje me dekretin e presidentit, Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për pozitën e kryeministrit të Kosovës.
Ajo që është më se e pritshme, Kushtetuesja nuk besohet se do të sjell zgjidhje që nuk janë të shkruara apo parapara në Kushtetutë, ngase kjo do të nënkuptonte rishkrimin e Kushtetutës.
Pritja apo opsioni i parë, është që Kushtetuesja të jap vetëm interpretimin kushtetues se si përcaktohet identifikimi i mandatarit duke identifikuar partinë fituese dhe rastin si veprohet pas mocionit të mosbesimit. Një interpretim i ngjashëm, ishte dhënë edhe në vitin 2014, mbi bazën e të cilit ishte përcaktuar se kush mund të formojë qeverinë (të paktën në rrethin e parë) dhe cila konsiderohet partia apo koalicioni fitues i zgjedhjeve, që çdo herë vjen në shprehje së pari kur është në pyetje formimi i qeverisë, pavarësisht nëse ndërkohë është formuar një shumicë e re parlamentare.

Kosova nuk bën pjesë në vendet në të cilat parlamenti shpërndahet me automatizëm pas mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë. Kështu që mbetet të shihet se si do ta interpretojë në këtë rast diskrecionin e presidentit Kushtetuesja, në rast se partia fituese nuk përgjigjet rreth caktimit të mandatarit.
Kurse opsioni i dytë, është parashikimi i rrjedhës së procesit, që është opsion më pak i besueshëm. Sipas këtij opsioni, Gjykata Kushtetuese do të përcaktonte që pas mocionit të mosbesimit të votuar në Kuvend më 25 mars, presidenti, duke u thirrur edhe në aktgjykimin e vitit 2014 të Gjykatës Kushtetuese, duhet t’i jap një afat partisë fituese që të propozojë mandatarin për kryeministër, kurse kjo e dyta, brenda atij afati t’i kthej një përgjigje me shkrim presidentit se do ta shfrytëzojë apo jo këtë të drejtë kushtetuese. E në rast se partia fituese heq dorë apo dështon ta formojë qeverinë, para se të shkohet në opsionin e shpërndarjes së Kuvendit dhe zgjedhjeve të reja, presidenti t’i kërkojë një partie tjetër që të dëshmojë se e ka shumicën e mjaftueshme në Kuvend për formimin e qeverisë. Në këtë rast, kjo parti do të ishte LDK-ja, e cila tashmë e ka një “qeveri në pritje” mbi bazën e koalicionit me AAK-në, Nismën dhe pakicat.

Interpretimi i Gjykatës Kushtetuese pritet të bazohet në nenin 112 të Kushtetutës së Kosovës.
Në këtë nen thuhet se Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës dhe përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën.
Po ashtu, aty ceket qartë se “Gjykata Kushtetuese është plotësisht e pavarur në kryerjen e përgjegjësive të saj”.
Mbi Gjykatën Kushtetuese, kohëve të fundit janë shtuar presionet, çka është konfirmuar edhe me reagimin e Kushtetueses, e cila kishte përmend me emra, presidentin Hashim Thaçi dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për presione mbi këtë organ të pavarur.

Të martën, thirrje palëve që të përmbahen dhe të respektojnë aktgjykimin e Kushtetueses u adresoi edhe ambasadori britanik në Prishtinë, Nicholas Abbott.
Vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë të obligueshme për të gjitha institucionet që t’i respektojnë dhe zbatojnë ato.