Reperi i hitit “Gasolina” Daddy Yankee zbulon arsyen se përse hoqi dorë nga muzika!

Thaçi e Kurti ashpërsojnë akuzat ndaj njëri tjetrit
Përplasjet ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurti nuk kanë të ndalur. Akuzat mes tyre janë bërë tashmë të përditshme. Sot, presidenti Thaçi tha se ka ardhur koha që Kurti dhe grupi i tij, të ballafaqohen me drejtësinë.
“Edhe ai edhe Xhelal Sveçla, edhe ministrja e drejtësisë Albulena Haxhiu, që për këta muaj e kanë shkel edhe kushtetutën edhe ligjet”, tha Thaçi.
Sipas presidentit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është një “uzurpator” i paligjshëm i pozitës së kryeministrit.

“Nuk kam çka t’i shtoj më tepër asaj që kam deklaruar edhe dje se Kurti në periudhën e tij të qëndrimit si kryeministër derisa e shkarkuan gjatë atyre 45 ditëve ka bërë edhe dy shkelje të rënda kushtetuese. Nuk mundem ndryshe me quajt pos uzurpator dhe paligjshëm duke ndej aty”, tha Thaçi.
Por, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në anën tjetër tha se akuzat e presidentit janë të pabaza.
“Çfarë ka thënë presidenti për mua, mua më duket se dëshirat e tij i përshkruan si fakte të mia. Unë jam kryeministër në detyrë s’bëhet fjalë për përshkrime që më ka bërë ai”, u shpreh ai.
Kurti ka ftuar një ditë më herët Prokurorinë e Shtetit që ta intervistojë Thaçin për shkak të mohimit të kërcënimeve, që Kurti pretendon se i ka marrë nga “Garda Vullnetare Shqiptare”.

“Presidenti tha se unë e kam shkruar kërcënimin ndaj vetes, nëse ka fakte të tilla duhet urgjentisht të intervistohet nga prokuroria”, ka thënë Kurti.
Përplasjet mes Thaçit dhe Kurtit sa vijnë e ashpërsohen në prag të vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila pritet të japë interpretimin se kush ka të drejtë të formojë qeverinë e re pas mocionit të moc=besimit, të votuar suksesshëm ndaj qeverisë Kurti më 25 mars, në Kuvendin e Kosovës.
Thaçi pretendon se e drejta i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe partive të saj partnere, pasi që Vetëvendosje nuk i ishte përgjigjur atij në kërkesën për të prezantuar mandatarin e ri për formimin e qeverisë.
Kurse Kurti pretendon se qeverinë mund ta formojë vetëm partia që i ka fituar zgjedhjet dhe se në rastin konkret, kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.