Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Borrell: Roli i BE-së në dialogun Kosovë – Serbi nuk mund të anashkalohet
Roli i Bashkimit Evropian në dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të anashkalohet, ka deklaruar Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell.
Në një postim në rrjetin social Twitter, Borrel ka shkruar se BE-ja është e përkushtuar t’i shoqërojë vendet e Ballkanit në çdo hap të rrugës së tyre drejt integrimit evropian.
“Por, që e ardhmja evropiane të bëhet realitet për njerëzit, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja nuk mund të anashkalohet”, ka shkruar Borrell.
Reagimi i Borrell-it pason deklaratën e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi se ai nuk do të pranojë ndërmjetësimin e të dërguarit të BE-së për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak. Sipas Thaçit, vetëm SHBA-ja mund t’i prijë këtij procesi.
“Nuk e kam vullnetin që të participoj në procesin e negociatave që udhëhiqet nga Lajçak”, ka thënë Thaçi.
Ndaj kësaj deklarate, paradite ka reaguar edhe raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon. Ajo ka shkruar në Twitter, se “një lider i përgjegjshëm duhet të flasë me negociatorët ndërkombëtarë, s’është zgjidhje personale”.