Hill në Luginë: Do të shoh se çfarë mund të bëj kur të kthehem në

Sahat Kulla e Prishtinës
Sahat Kulla është një nga monumentet më interesante që gjendet në bërthamën e zonës kulturore-historike të Prishtinës. Sahat Kulla i takon periudhës osmane dhe daton që nga shekulli XIX. Ajo paraqet një ndërtesë me vlera kulturore, historike dhe arkitekturore. Sahat Kulla gjendet në pjesën qendrore të pjesës së vjetër të Prishtinës në afërsi të Xhamisë së Mbretit, në oborr të ndërtesës së gjimnazit “Sami Frashëri”.
Mekanizmi i orës ka funksionuar deri në vitet ’70. Në vitin 2001 është vjedhur mekanizmi i orës dhe këmbana, ndërsa nga viti 2002 mekanizmi i orës është zëvendësuar me orë digjitale. Në këtë Sahat Kullë gjendej këmbana e vjetër të cilën turqit gjatë luftërave të tyre në Moldavi dhe Vllahi e morën si plaçkë lufte dhe si të tillë e sollën në Vushtrri dhe e vunë në Sahat Kullë.

Sipas urdhërit të Jashar Pashës këmbana është sjellë nga Vushtrria në Prishtinë. Në sipërfaqen e kambanës gjendej mbishkrimi rumun nga viti 1764 i vojvodës Jan Moldovanit që në përkthim do të thotë “Kjo Këmbanë është punuar për vojvodën Jan Moldovanin në vitin 1764”.
Këmbana është dekoruar me numër të madh të ornamenteve të ngjashme me gjethet e ahut. Edhe pse ka kaluar rrugë të gjatë dhe shpesh ka ndërruar vendet dhe selitë ishte në gjendje të mirë dhe nuk kishte dëmtime të mëdha.
Sahat Kulla është ndërtesë me bazë gjashtëkëndëshe. Lartësia e saj është 26 metra, e murosur me gurë deri në lartësinë 16.5 metra dhe me tulla të plota në pjesën tjetër të ndërtesës. Konstruksioni i kulmit është prej druri të mbuluar me plumb.
Në të gjitha fasadat e Sahat Kullës ka hapje të vogla harkore. Në brendi të saj janë shkallët rrethore, në të cilat janë të vendosura pllaka të gurëve. Në pjesën e Sahat Kullës të ndërtuar prej tullave shkallët janë prej druri, çka tregon se kjo pjesë është ndërtuar më vonë.
Burimi: Ministria e Kulturës, Kosovë.