
Ushtrim proteste apo presioni mbi Gjykatën Kushtetuese
Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë të enjten një tubimapo siç po quhet,” test për protestë” në sheshet e Prishtinë, duke filluar nga ora 17:00 deri në orën 19:00.
Ky tubim, po prezantohet si një test për formën e protestave në kohë pandemie dhe për këtë qëllim, partia në pushtet, qeveria e së cilës është rrëzuar me mocion mosbesimi në Kuvend, më 25 mars, ka angazhuar 200 aktivistë për ta përgatitur atë.
Policia e Kosovës, ka konfirmuar se ka marrë kërkesën për tubim dhe e ka aprovuar atë.
Një aktivist i Vetëvendosjes, Valdrin Ahmeti ka shkruar në facebook se “të enjtat janë njëfarë nxemje në Prishtinë”.
Zyrtarët e Vetëvendosjes kanë paralajmëruar se në këtë “test” për protestë do të marrin pjesë mbi 3.000 persona.
Por, “stërvitja” e Vetëvendosjes në sheshet e Prishtinës, nga partitë tjera politike po shihet si presion mbi Gjykatën Kushtetuese, e cila pritet të dalë me aktgjykimin në lidhje me dekretin e presidentit Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për formimin e qeverisë së re.
Qasja e Vetëvendosjes është që dekreti i presidentit është jokushtetues dhe beson se pas mocionit të mosbesimit të votuar ndaj qeverisë Kurti më 25 mars, vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Ditë më parë, Vetëvendosje publikoi edhe një video ku tregohet se si mund të votohet në kushte dhe rrethana të pandemisë.
Lidhja Demokratike e Kosovës, e sheh tubimin e Vetëvendosjes si anarki dhe rrezik për shëndetin publik.
“Ky veprim politik është i papërgjegjshëm dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve ne jemi në kohë pandemie dhe kjo nuk përkon me rekomandimet e Institutit të shëndetit publik”, ka thënë Naser Rugova për T7.
“Kjo protestë edhe ka ndikim të drejtpërdrejtë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
Gjykata Kushtetuese pritet që të dalë me aktgjykimin rreth caktimit të mandatarit pas mocionit të mosbesimit, gjatë dy ditëve të ardhshme.

Përderisa LDK po pret që aktgjykimi të jetë në favor të presidentit Thaçi në mënyrë që të vjen në shprehje nisja e procedurës për formimin e qeverisë me në krye zyrtarin e kësaj partie, Avdullah Hoti, në anën tjetër Lëvizja Vetëvendosje pret që ky dekret të rrëzohet dhe t’u hapet rrugë zgjedhjeve të reja në vend.