Liverpooli mendon për pasuesin e Salah, alternativë edhe ish-in e Ajaxit
Në Shqipëri 26 raste me Covid-19, të gjitha në Tiranë
Tirana po shndërrohet në një vatër të rasteve të reja të koronavirusit në Shqipëri. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 26 raste të reja me koronavirus – të gjitha nga Tirana. Në total, numri i të prekurve me Covid-19 ka arritur në 1076.
Rovena Daja nga Instituti i Shëndetit Publik tha se gjatë 24 orëve të fundit janë testuar 225 qytetarë si të dyshuar të prekur me Covid19 dhe janë konfirmuar 26 raste pozitive, të gjitha në Tiranë.
“Nga hetimi i thelluar epidemiologjik, janë testuar 73 personel shëndetësor, nga të cilët 12 kanë rezultuar pozitivë, në QSUT, të gjithë pa simptoma. Në total janë 20 të prekur në QSUT, personel shëndetësor dhe pacientë, kontakte të rastit të identifikuar tre ditë më parë. Nderkohë vijon hetimi i thelluar epidemiologjik edhe për disa raste të reja në Tiranë”, tha ajo.
Në spitalin infektiv aktualisht po trajtohen 24 pacientë, nga të cilët 3 janë në terapi intensive.
Në 24 orët e fundit janë të shëruar 11 qytetarë, duke e çuar në 823 numrin e të shëruarve që nga fillimi i epidemisë.
Nga fillimi i epidemisë janë kryer mbi 15 mijë testime molekulare dhe serologjike, ndërsa numri i rasteve të konfirmuara pozitivë në të gjithë vendin është 1076. Prej tyre, mbi 76% janë të shëruar.
Në Shqipëri aktualisht janë 220 persona aktivë me COVID19, kryesisht ne Tiranë, Durrës dhe Krujë.