Fakte të reja për staturën kombëtare të Mbretit Zog- Nga Ekrem Spahiu
Nisin hetimet për dhomën e përgjimeve – Thaçi publikon video
Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka nisur me hetimet dhe grumbullimin e informacione në lidhje me akuzat e presidentit Hashim Thaçi, sipas të cilit, kryeministri në detyrë Albin Kurti, zëvendëskryeministri Haki Abazi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës për tri ditë rresht.
Në një përgjigje me shkrim, Prokuroria e Shtetit ka konfirmuar se ka nisur grumbullimi i informatave.
“Ju njoftoj se Prokurori i Shtetit është në fazën e grumbullimit të informatave për të vërtetuar nëse ekzistojnë elementet e veprës penale, që ndiqet sipas detyrës zyrtare”, thuhet në përgjigje.
Presidenti Thaçi, ka deklaruar se Kurti, Abazi e Sveçla kanë hyrë në dhomën e përgjimeve në Telekomin e Kosovës, i kanë ndalur kamerat e sigurimit dhe kështu kanë vepruar për 3 ditë rresht duke shkelur ligjin.
Kurse sot, presidenti Thaçi ka publikuar edhe një video në facebook nga një laborator droge, përmes së cilës ai akuzon për inkriminim, siç thotë, “Grupin e Kurtit dhe familjarë të ministres së Drejtësisë Albulena Haxhiu”.
Nuk ka ende konfirmime nëse Thaçi, Kurti dhe zyrtarët e tjerë do të ftohen nga Prokuroria në intervistë për të dhënë dëshmitë e tyre, pas pretendimeve të Thaçit, të cilat ai i bëri në emisionin DebatPlus.
Gjatë ditës së sotme Kurti u është përgjigjur akuzave të Thaçit, duke i quajtur ato gënjeshtra.
“Problemi me kundërshtarët është që nuk mund të gënjejnë vetëm një herë, ato janë shpifje. Duket që protagonistëve të aferës Pronto ju ka ngelur mendja te përgjimet atëherë kur e ushtronin italishtën e mafiozëve”, tha Kurti, i cili sot vizitoi komunën e Prishtinës dhe kryetarin Shpend Ahmeti.
“Të mos humbim kohë sepse dëshirat po i përshkruajnë si fakte, ata kanë dëshirë të hynë ne dhomën e përgjimeve”, theksoi kryeministri në detyrë.
Përmes rrjetit social, Facebook, Kurti e kishte cilësuar paraprakisht Thaçin edhe si një “President helaq”.
Fjalori i ashpër politik, akuzat e kundër-akuzat, janë bërë tashmë përditshmëri e komunikimit në mes presidentit dhe kryeministrit.