Është lodra më e njohur në botë, por shpikësja e saj nuk ka fituar asnjë

Telekomi e mohon ekzistimin e dhomës së përgjimeve
Telekomi i Kosovës përmes një sqarimi për media e ka mohuar se ekziston një dhomë e përgjimeve në këtë kompani. Reagimi i Telekomit, pason deklaratat e presidentit Hashim Thaçi, sipas të cilit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, zëvendësi i tij, Haki Abazi dhe ministri i brendshëm, Xhelal Sveçla kanë hyrë në këtë dhomë, në përpjekje për t’i fshirë disa përgjime.
Nga Departamenti për Relacione me Publikun në Telekomin e Kosovës, përmes një sqarimi thotë se nuk ka përgjime nga ana e Telekomit të Kosovës dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin e tyre.
Në të njëjtin njoftim thuhet se pas deklaratave joprofesionale dhe të pambështetura në fakte të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës, kjo kompani dëshiron të tregojë se nuk posedon me dhoma të përgjimeve.

Ky është sqarimi i plotë i Telekomit të Kosovës:
I sigurojmë konsumatorët tanë se nuk ka përgjime nga ana e Telekomit të Kosovës dhe as qasje të paautorizuar në rrjetin tonë. Pas deklaratave joprofesionale dhe të pambështetura në fakte të zyrtarëve të lartë të shtetit, të cilat e dëmtojnë pa të drejtë reputacionin e Telekomit të Kosovës sh.a., e ndiejmë të nevojshme të sqarojmë opinionin me sa vijon:
Telekomi i Kosovës sikurse edhe operatorët e tjerë të Telekomunikacionit në Kosovë nuk posedojnë “dhoma të përgjimeve” me të cilat po spekulohet në opinion.
Objekti ku është e vendosur drejtoria dhe administrata jonë kryesore, aktualisht nuk është pronë e Telekomit të Kosovës sh.a. por e Postës së Kosovës.
Në kuadër të kësaj ndërtese ekzistojnë hapësira të cilat nuk i menaxhon Telekomi i Kosovës sh.a. dhe një ndër to është edhe një hapësirë e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit.
Kjo hapësirë apo “ dhoma e përgjimeve” si është e njohur nëpër media, funksionon në bazë të ligjit 05/L-030 dhe me një Vendim të Kryeprokurorit të Shtetit. Të gjitha këto janë të bazuara në Standardet Ndërkombëtare të sigurisë.
Hapësira të tilla ekzistojnë tek të gjithë operatorët në Evropë, duke i përfshirë këtu edhe operatorët në Kosovë.
Në këtë hapësirë, e cila menaxhohet nga Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka pasur qasje asnjëherë dhe në asnjë rast nga ndonjë i punësuar i Telekomit të Kosovës sh.a. pa autorizim dhe pa praninë e përgjegjësve nga Prokuroria e Shtetit.
Hapësira në fjalë është e monitoruar përmes kamerave të cilat menaxhohen nga Kryeprokurori i Shtetit.
Pas verifikimit nga personat kompetent, përreth hapësirës në fjalë nuk është gjetur asnjë shenjë apo element i dyshimtë për qasje me forcë apo qasje të pa autorizuar.
Deklaratat e pa verifikuara, të pasakta, apo të papërgjegjshme mund të e dëmtojnë biznesin dhe imazhin e Telekomit të Kosovës sh.a. Kemi frikë se kjo mund të keqkuptohet si favorizim i konkurrencës apo dëmtim i qëllimshëm i reputacionit të Telekomit te Kosovës sh.a.