Rritet numri i vdekjeve dhe infektimeve – Vazhdohet gjendja e jashtëzakonshme
Pesë pacientë kanë ndërruar jetë nga Covid-19 gjatë 24 orëve të fundit në Maqedoninë e Veriut. Prej tyre, katër personat e vdekurit janë nga Shkupi dhe njëri nga Struga.
Numri i të vdekurve aktualisht është 131 persona. Në 24 orët e fundit, u diagnostikuan 35 raste të reja me Covid-19. Prej tyre 22 nga Shkupi, 6 nga Tetova, 4 nga Kumanova dhe nga 1 prej Struge Gostivari dhe Shtipi.
Nisur nga kjo gjendje, presidenti i Maqedonië së Veriut, Stevo Pendarovski shpalli gjendje të re të jashtëzakonshme prej 14 ditëve për ballafaqim më të shpejtë me koronavirusin dhe pasojat ekonomike. Pendarovski tha se gjendja e re e jashtëzakonshme nuk ka lidhje me zgjedhjet, por me rastet në rritje me Covid-19.
Krahas ballafaqimit me Cocid-19, Maqedonia e Veriut po përballet edhe me kërkesat në rritje të disa partive politike për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Përmendet edhe një ditë jopune si mundësi për të votuar, jo vetëm e diela si deri më tani, sepse kjo është e mundur me ndryshim të ligjit, me një dekret me forcë të ligjit mund të votohet edhe të mërkurën”, tha Pendarovski.
Por ajo që di unë se në dy ditët e fundit ato komunikime janë ndërprerë, mendoj se për shkak të zhvillimit të ri të situatës. Sidoqoftë, unë kam thënë dhe dua ta theksoj këtë edhe njëherë në kontekstin e këtij mesazhi që u dërgova krerëve të partive politike parlamentare, se shteti nuk mund të jetë në gjendje të jashtëzakonshme përgjithmonë për të funksionuar disi”, deklaroi Stevo Pendarovski.
Në anën tjetër, kryeministri teknik Oliver Spasovski thotë se vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Duhet të merren vendime të rëndësishme për të trajtuar koronavirusin, por ne nuk kemi një parlament funksional. Me këto fjalë, kryeministri teknik Oliver Spasovski kërkon zgjedhje të shpejta.
“Unë pres që sa më shpejt që të jetë e mundur, të bëjmë gjithçka për të kompletuar institucionet përmes zgjedhjeve demokratike, ku e drejta e qytetarëve për të zgjedhur, për të vendosur se kush do të marrë fatin e shtetit, do të mund ta përdorë atë në zgjedhjet parlamentare”, tha Spasovski.
Gjendja e re e jashtëzakonshme fillon nesër dhe do të zgjasë deri më 13 qershor. Nëse muajin e ardhshëm nuk ka vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme, sipas dekretit të qeverisë, duhet të ketë zgjedhje pas 22 ditëve, ose më 5 korrik.