
Vetëvendosje me peticion kërkon zgjedhje
Lëvizja Vetëvendosje do të nis peticion me të cilin do të kërkoj mbajtjen e zgjedhjeve të lira, si përpjekje ëpr të penguar formimin e qeverisë së re të Kosovës, pa partine fituese të zgjedhjeve. Një peticion i tillë, u kumtua si vendim pas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese me të cilin iu dha të drejtë dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër.

Sekretarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Vlora Haxhimehmedi tha se “zgjedhjet janë zgjidhje e krizës politike, e vetmja rrugë për te dalë nga kriza”.
“Nuk lejojmë qeveri pa zgjedhje”, tha ajo.
Ndërkaë deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu tha se peticioni është rezistencë e këtij subjekti politik, marrë parasysh edhe faktin që Vetëvendosje nuk e pranon aktgjykimin e Kushtetueses.
“Peticioni është rezistencë. Veprimet tona do të jenë paqësore me mjete legjitime”, tha Aliu.

Ai nuk e ka përjashtuar as protestën si formë kundërshtimi dhe reagimi ndaj vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Por, për momentin, Alia tha se nuk ka nevojë për diçka të tillë.
Të enjten, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi të shpallë kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars.
Kryetari i Vetëvendosjes, i cili është edhe kryeministër në detyrë i Kosovës, Albin Kurti e cilësoi vendimin “jo të drejtë dhe të papranueshëm”.
Për dallim nga Vetëvendosja, spektri i gjerë politik në Kosovë e ka përshëndetur vendimin e Kushtetueses, ndërkohë që edhe faktori ndërkombëtar ka bërë thirrje që ai të respektohet nga të gjitha forcat politike në Kosovë.