
Ahmeti u bën thirrje prindërve – mos i dërgoni nesër fëmijët në çerdhe publike
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti u ka bërë thirrje prindërve që nesër të mos i dërgojnë nesër fëmijët në çerdhe publike.
Apeli i Ahmetit, pason konferencën për media të kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, të cilët thanë se nga nesër fillon faza e tretë e lehtësimit të masave, ku përmendën edhe rihapjen e çerdheve.
“Sot në konferencë për media të qeverisë u fol edhe për rihapjen e çerdheve. U përmenden dy data, 1 qershor dhe 8 qershor. Po ashtu u përmenden edhe rregullat strikte për çerdhet. Por nuk kemi marr asnjë informate zyrtare e as informatë mbi rregullat”, ka shkruar Ahmeti.
“Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri t’i marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë”, ka apelua kryetari i Prishtinës.
Ai ka thënë se çerdhet do të rihapen këto ditë, por ka nevojë për më shumë detaje e përgatitje.