Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Dy të vdekur dhe 62 raste të reja me Covid-19
Në 24 orët e fundit, në Maqedoninë Veriore, nga 771 teste e bëra 62 kanë rezultuar pozitiv me Covid-19. Shkupi vazhdon të mbetet vatra kryesore e infektimit me 24 raste të reja. Por, numër i lartë është regjistruar edhe në Shtip 14 raste si dhe në Tetovë ku kemi 12 raste të reja. 4 raste janë regjistruar në Strugë, 3 Gostivar, 2 Kumanovë dhe nga një në Veles, Koçan dhe Vallandovë. Dje ndërruan jetë edhe dy pacientë nga Virusi Korona në vend.
Në Spitalin ‘8 Shtatori’ ndërroi jetë pacienti 60 vjeçar nga Struga, i hospitalizuar që nga 22 Maji. U evidentua edhe pacienti 64 vjeçar, i cili u pranuan në Spitalin e Gostivarit me 29 Maj dhe po të njëjtën ditë ndërroi jetë, por që më pas u diagnostikua me CoVid-19 – njoftojnë nga Ministria e Shëndetësisë.
Gjatë testimeve në ekipet e Ligës së Parë futbollistike, 6 futbollistë të skuadrave tetovarë kanë rezultuar pozitiv. Të hënë do të vazhdojnë testimet edhe në skuadrat tjera, thonë nga SFM-ja.
Pas testimit të skuadrave nga Tetova janë diagnostikuar 6 raste pozitive me CoVid-19, 4 nga Renova dhe 2 nga Shkëndija. Emrat e futbollistëve janë dërguar në klubet përkatëse, të cilat anuluan stërvitjet e së dielës, ndërsa të prekurit pritet të vihen në karantinë dhe të tjerët në vetë izolim – Sindikata e Futbollistëve të Maqedonisë.

Në mesin e të infektuarve sot ishte edhe nënkryetari i LSDM, Muhamed Zekiri. Ai njoftoi se rezultoi pozitiv së bashku me bashkëshorten dhe foshnjën tre muajsh. Nga Instituti i Shëndetit Publik thonë se kanë filluar menjëherë me identifikimin e personave të kontaktit direkt të pacientit Zekiri.
ISHP njoftoi se sot u shëruan 17 pacientë. Bilanci i të prekurve në vend ka arritur 2226, të shkruarve 1552, të vdekurve 133 dhe si raste aktive evidentohen 541 pacientë. Deri më tani janë bërë mbi 29500 teste, ndërsa nga 221 testet e bëra dje të skriningut në Qendrat e Shëndetit Publik në Shkup, Tetovë, Manastir dhe Prilep nuk ka të infektuar.