Al Pacino dhe Dan Stevens do të luajnë në filmin ekzorcist të bazuar në një
Reciprociteti – Asnjë maune s’mund të hyjë në Kosovë nëse nuk shkruan “Republika e Kosovës”
Qeveria në detyrë e Kosovës ka marrë vendim të ndryshojë dhe plotësojë vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë.
Vendimi është marrë në mbledhjen e qeverisë, të mbajtur në orët e vona të së shtunës.
Sipas plotësimeve dhe ndryshimeve të këtij vendimi, në marrëdhëniet tregtare me Serbinë, ndalohen dokumentet për produktet bujqësore dhe industriale që përdorin emra të vendeve që përmbajnë elemente të tjera në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, emrat e vendeve në Republikën e Kosovës, por pa emërtimin e shtetit, që nuk i referohen me Republika e Kosovës dhe përmbajnë çfarëdo elementi që mohon pavarësinë dhe sovranitetin e Republikës së Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti tha se edhe emri ‘Kosovë’ është kushtetues, mirëpo, së fundmi Serbia ka ndërruar qasje duke kushtëzuar përdorimin e emrit ‘Republika e Serbisë’.
“Ne i kundërvihemi me masë reciproke. Obligohet Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin ‘Republika e Kosovës’ në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Edhe zëvendëskryeministri Haki Abazi ka shkruar në Facebook se asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në dokumentet e tyre nuk shkruan: Republika e Kosovës.
Përfaqësuesi i BE-së për dialogun në mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak është shprehur i zhgënjyer me masat e reja të qeverisë.
“I zhgënjyer për masat e reja të reciprocitetit, të vendosura nga qeveria në detyrë e Kosovës. Veprime të tilla të njëanshme e minojnë rifillimin e dialogut dhe duhet të largohen menjëherë. Siç është thënë vazhdimisht, ne presim që të dyja palët në dialog t’i zbatojnë dhe t’i respektojnë marrëveshjet e kaluara”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë, sipas qeverisë, obligohet të përdorë stemën dhe emrin Republika e Kosovës në certifikatat fitosanitare dhe veterinare, ndërsa operatorët ekonomik nga Serbia duhet të pajisen me leje hyrëse për secilin automjet të transportit të mallrave që hyn në Republikën e Kosovës nga Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi.
Vendimi mbetet në fuqi për afat të pacaktuar, ndërsa nuk mund të njihet si person juridik një shoqëri tregtare e themeluar sipas rregullave të autoriteteve në Serbi, por vetëm në pajtim me Ligjin për shoqëritë tregtare.
Masa e reciprocitetit ndaj Serbisë është vendosur nga Qevria Kurti, pasi që më 1 prill, u shfuqizua taksa 100% ndaj importeve nga Serbia.