Thaçi për reciprocitetin – Kurti vazhdon me mashtrimet në emër të patriotizmit
Presidenti Hashim Thaçi ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për ashpërsimin e reciprocitetit ndaj Serbisë, duke thënë se Kurti po vazhdon të përpiqet të mashtrojë në emër të patriotizmit.
“Në përpëlitjet e fundit para se të largohet nga zyra, Kurti po i vazhdon mashtrimet patriotike me vendime strategjikisht të gabueshme”, ka shkruar Thaçi.
“Me vendimin për kinse reciprocitet, ai vazhdoi duke bërë hapa në kundërshtim me kërkesat dhe pritjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe të BE-së, duke rrezikuar tërë atë që kemi arritur dhe ndërtuar për më shumë se dy dekada”, ka shtuar Thaçi.
“Kosova ka fituar lirinë dhe shtetësinë me përkrahjen e SHBA-së dhe partnerëve evropianë dhe vetëm me këtë përkrahje e partneritet ka të ardhme të sigurt. Çdo cenim i këtyre raporteve është rrezikim i shtetit dhe rrezikim i së ardhmes së Kosovës”, ka theksuar presidenti.
Reagimi i Thaçit pason vendimin e qeverisë Kurti për ashpërsimin e masave të reciprocitetit ndaj Serbisë, duke ndaluar futjen e mallrave nga ky vend nëse në dokumente nuk shkruan: Republika e Kosovës.