Wednesday, January 26, 2022

Osmani shpjegon idenë e saj për qeveri transitore me ministra teknikë

Një qeveri teknike që do ta udhëhiqte Kosovën deri në zgjedhjet e reja, është ideja që ka propozuar kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila për dallim nga deputetët tjerë të LDK-së, nu ke mbështetë formimin e qeverisë së re.

Osmani ka thënë se zgjedhjet e reja janë opsioni i vetëm që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve në vend, duke shtuar se në kohë pandemie Kosovës i duhet një qeveri teknike unifikuese.

Në një deklaratë, Osmani ka thënë se një qeveri tranzitore do të parandalonte polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha politike në kohë pandemie.

“Politikisht, siç e kam thënë edhe në të kaluarën, zgjedhjet janë i vetmi opsion që do të mund të rikthenin legjitimitetin e institucioneve. Por në ndërkohë, deri sa do të krijoheshin rrethanat për zgjedhje për shkak të pandemisë, mendoj se e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”, ka thënë ajo.

Sipas saj, një qeveri teknike-unifikuese do të mundësonte tejkalimin e krizës politike e ekonomike dhe do të bënte përgatitjen për organizim të zgjedhjeve të reja, e do të sillte konsensus rreth dialogut dhe mbrojtjes së integritetit territorial.

Nënkryetarja e LDK-së ka thënë se “Qeveritë që varen në tërësi nga Lista Serbe asnjëherë nuk kanë sjellë as sukses e as stabilitet, sepse varshmëria nga Lista Serbe rrezikon arritjen e çdo objektive apo suksesi në të mirë të vendit”.

“Asnjë vendim më nuk është vetëm i vendit tonë por është rezultat i kompromiseve Kosovë-Serbi. Pra as edhe ligjet më të thjeshta nuk do të mund të kalojnë pa pajtimin e listës serbe, që do të thotë pa pajtimin e Beogradit. Ndërkaq, unifikimi i skenës politike në vend asnjëherë nuk e ka dëmtuar Kosovën por vetëm e ka shtyrë përpara atë”, ka deklaruar më tej ajo.

Por, LDK-ja tashmë ka arritur marrëveshje me AAK-në e Nismën për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas rrëzimit të Qeverisë Kurti më 25 mars.

Votimi për Qeverinë e re do të mbahet të mërkurën, më 3 qershor, pasi Gjykata Kushtetuese shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për kryeministër. Në anën tjetër, Lëvizja Vetëvendosje, ish-partnere e LDK-së në koalicionin e shkuar, ka nisur një peticion me të cilin po kërkon zgjedhje.

Ideja e Osmanit është mbështetur nga disa deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, duke propozuar që Murat Jashari është figura e qëlluar për kryeministër deri në zgjedhje.

Deputetët e Vetëvendosjes, Fitim Uka, Mefail Bajqinovci, Arbëreshë Kryeziu e Agon Batusha janë shprehur pro idesë së kryeparlamentares Vjosa Osmani që të ketë një Qeveri teknike me një kryeministër unifikues.

Ata kanë deklaruar propozuar që kryeministër të jetë Murat Jashari, si figura më unifikuese në vend.

“Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, paska thënë se “e vetmja mënyrë për të parandaluar polarizimin ekstrem dhe përplasjet e mëdha në këto kohë sfiduese do të kishte qenë një qeveri tranzitore, ta zëmë për 6-9 muaj, e udhëhequr nga një figurë unifikuese mbi-partiake dhe me ministra teknik”. Me një vendim antikushtetues të Gjykatës Kushtetuese, me një Qeveri ilegale e joprofesionale në sfond, që varet nga Lista Serbe, do të votoja për një Qeveri të tillë tranzitore, që e ndal pazarin e territoreve dhe i hap rrugën zgjedhjeve pas 6 muajsh”, ka shkruar Uka.

Ai ka shtuar tutje, “e figura unifikuese e mbi-partiake që nuk do shumë kërkim, është padyshim Murat Jashari”.

Kurse Bajqinovci ka thënë se, “si deputet i Kuvendit e mbështet  plotësisht idenë e kryetares së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani për një Qeveri tranzitore 6 deri në 9 muaj, me ministra teknik dhe e udhëhequr nga një figurë mbi partiake që do të mundësonte funksionimin e vendit pa përplasje të thella deri në zgjedhjet e ardhshme. Jam i bindur që përfaqësuesi më i denjë për kryeministër në këtë opsion, do të ishte njëri nga përfaqësuesit e familjes emblematike të kombit tonë, z. Murat Jashari”.

- Advertisment -

Lexoni