
Aeroporti i Prishtinës bëhet gati për diasporën
Autoritetet e Kosovës po i bëjnë përgatitjet për hapjen sa më të shpejtë të Aeroportii Ndërkombëtar ”Adem Jashari” për fluturime ndërkombëtare, duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e Covid-19. Një kujdes i veçantë, sipas zyrtarëve të qeverisë së Kosovës po i kushtohet diasporës, e cila fillon sezonin e kthimit në Kosovë për pushime verore.
Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi ka shkruar në Facebook se së shpejti do të publikohet edhe data e rifillimit të udhëtimeve nëpërmjet transportit ajror.
“Diasporë mirësevjen në atdhe. Transporti ajror është mënyra më e shpejtë dhe e sigurtë e lidhjes së Kosovës me diasporë, tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Rifillimi i fluturimeve ajrore është pjesë e rëndësishme e planit për rimëkëmbjen ekonomike të vendit pas Covid-19”, ka shkruar Abrashi.

“Në bashkëpunim me të gjitha institucionet si Autoritetin e Aviacionit Civil, Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, kompanitë ajrore dhe Ministrinë e Shëndetësisë do t’i intensifikojmë punët që të hapim sa më shpejt Aeroportin për fluturime ndërkombëtare duke respektuar plotësisht udhëzimet për masat e sigurisë për parandalimin e Covid-19 të lëshuar nga Agjencioni Evropian i Sigurisë së Aviacionit (EASA) dhe udhëzimet tjera nga Ministria e Shëndetësisë. Do t’iu njoftojmë së shpejti për datën e rifillimit të plotë të fluturimeve ndërkombëtare, duke ia mundësuar diasporës ta vizitojnë atdheun e tyre”, shkroi Abrashi.
Ai u zotua se do të vazhdojnë me punë të mira për diasporën, bizneset, prodhuesit vendor, bujqit, arsimin, mjekësinë dhe duke i normalizuar marrëdhëniet me vendet mike të Kosovës, sidomos me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.