
RRITJE E NDJESHME: EDHE 40 RASTE ME COVID-19 NË KOSOVË
Janë regjistruar edhe 44 raste me Vovid-19 në Kosovë, ka konformuar Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Gjatë 24 orëve të fundit, janë testuar gjithsej 296 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren.
Rastet pozitive janë nga komuna e Prishtinës 10 raste (sipas vendbanimit: 10 raste Prishtinë), komuna e Vushtrrisë 8 raste (sipas vendbanimit: 6 Vushtrri, 1 Akrashticë, 1 Maxhunaj), komuna e Prizrenit 7 raste (sipas vendbanimit: 4 Tupec dhe 3 Prizren), komuna Fushë Kosovë 6 raste (sipas vendbanimit: 3 Fushë Kosovë dhe 3 Miradi e Poshtme), komuna Obiliq 5 raste (sipas vendbanimit: 5 Milloshevë), dhe me nga 1 rast komuna Skenderaj (vendbanimi: 1 Likoc), komuna Gjilan (sipas vendbanimit: 1 Gjilan), komuna e Rahovecit (sipas vendbanimit: 1 Rahovec) dhe komuna e Mitrovicës (sipas vendbanimit: 1 Mitrovicë)
Ndërkohë, janë shëruar 6 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 890 raste.

Deri më tani, janë testuar gjithsej 16.674 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 1.234 raste, me gjithsej 31 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.
Në IKSHPK, thonë se në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome.
IKSHPK thotë se tani kur ka filluar lehtësimi i masave për disa aktivitete, janë gjurmuar raste të reja të COVID-19 duke u shtuar rreziku të shpërthejnë vatra të reja epidemike në disa komuna të Kosovës e në veçanti në komunën e Prishtinës, Vushtrrisë, Prizrenit, Fushë Kosovës, Obiliqit nga mosmbajtja e distancës dhe mosmbajtja e maskave.
“Pakujdesia e disa qytetarëve gjatë këtyre aktiviteteve, mund të shtojnë rrezikun e përhapjes së infeksionit përderisa virusi SARS-COV-2 është prezent dhe kështu mund të mbingarkohet sistemi shëndetësor me pasoja të pa parashikuara deri në shpërthim e që mund të paraqes rrezik për jetën e qytetarëve”, thotë Instituti.
Bazuar në këtë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike dhe Ministria e Shëndetësisë rekomandojnë që në mënyrë rigoroze të respektohen masat mbrojtëse të deritashme e në veçanti zbatimi i planit për masat lehtësuese që nënkupton vazhdimin e zbatimit të mëtutjeshëm të rekomandimeve.
“Apelojmë te qytetarët, bizneset, gastronomia, që në mënyrë strikte të respektojnë distancën fizike, përdorimi i maskave, dezinfektimi dhe ajrosja e lokaleve, duke pamundësuar përhapjen eventuale të infeksionit dhe shmangien e përhapjes në hapësirat e mbyllura”, theksohet në thirrjen e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Çdo shkelje e rregullave, thuhet se do të konsiderohet rrezikim i shëndetit dhe jetës së të tjerëve.
“Çdo hap përpara që bëjmë, bartë edhe rrezikun me vete derisa virusi është ende në mesin tonë. Ta ruajmë këtë situatë të qëndrueshme duke pasur parasysh situatë më të rënduar epidemiologjike në shumë shtete të botës”, thuhet ndër tjera në apelin e IKSHPK-së.