Fizikanët mendojnë se madhësia e pafundme e multiversit mund të jetë pafundësisht më e madhe:
Akademia e Shkencave dhe e Arteve jep rekomandime për dialogun me Serbinë
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka prezantuar një analizë të dialogut me Serbinë dhe marrëveshjeve të arritura deri më tani. Në përmbledhje flitet për procesin e bisedimeve të zhvilluara nga viti 2011.
ASHAK thekson se Kosova duhet t’i qaset shumë seriozisht procesit të dialogut për normalizim të raporteve me Serbinë, ndërkohë thonë se nuk duhet lëshuar rasti aktual kur SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian thonë se arritja e marrëveshjes paqësore Kosovë-Serbi do të përmbyllte burimin e pasigurisë së rajonit.
“Dialogu me Serbinë duhet të merret më me seriozitet, duke mos e lëshuar rastin që nuk vjen shpesh, kur edhe SHBA, edhe Mbretëria e Bashkuar edhe Bashkimi Evropian e konsiderojnë arritjen e një marrëveshjeje paqësore midis Kosovës dhe Serbisë të rëndësishme për të përmbyllur kapitullin e trazirave në Ballkan dhe për të garantuar integrimin euroatlantik të tij”, thotë ASHAK.
Rekomandime:
Republika e Kosovës duhet të ketë disa “vija të kuqe” në dialogun me Serbinë dhe se nuk duhet lejuar që të preket integriteti territorial i shtetit.
“1. Të ruhet integriteti territorial i Republikës së Kosovës, në bazë të kufijve të njohur ndërkombëtarisht, sipas Deklaratës së Pavarësisë 2008;
2. Të ruhet rendi kushtetues, duke mos lejuar kompromise, të cilat shkojnë përtej asaj që është dhënë nga Plani Ahtisari, i inkorporuar tashmë në rendin kushtetues;
3. Të mos lejohet krijimi i mekanizmave shtesë kushtetues, derisa ekzistojnë mekanizma në nivel qendror dhe lokal të pjesëmarrjes në përpjesëtim të pushtetit për serbët dhe për komunitetet e tjera jo-shumicë, që shpesh e bëjnë vendim-marrjen në Kosovë tejet të vështirë. 4.Të mos lejohet që asociacioni i komunave me shumicë serbe të krijohet jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore që është në fuqi në Republikën e Kosovës. 5. Të gjitha zgjidhjet e tjera në dialog të bëhen duke u ruajtur Pavarësia e Kosovës e vitit 2008, si dhe rendi kushtetues dhe ligjor, si dhe të mos lejohet pandëshkueshmëria për gjenocid, krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit.”, janë pesë pikat që ASHAK specifikon teksa flitet për vijat e kuqe në dialog.
Autorët e analizës Arsim Bajrami e Gjuljeta Mushkolaj në raport kanë përfshirë edhe pikat që duhet t’i përmbajë marrëveshja përdundimtare me Serbinë. Sipas ASHAK-ut duhet që statusi i marrëveshjes të jetë në kapacitetin e një traktati ndërkombëtar, të kërkohet heqja e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB’së dhe gjithashtu thuhet se duhet të bëhet demarkimi i kufirit në mes të Kosovës dhe Serbisë bazuar në pakon e Ahtisarit dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe që marrëveshja përfundimtare do të jetë e zbatueshme dhe që do të implementohet në Kuvendet respektive.
Lexo dokumentin: