Saturday, January 22, 2022

Osmani i kundërpërgjigjet Thaçit: Gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani i është kundërpërgjigjur Presidentit Hashim Thaçi, pasi që ky i fundit tha se Osmani do të djersitet nga ajo që Thaçi mund ta thotë për të.

“Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim Rugovën. Me gjasë, prandaj, Thaçi po e shpallë familjen time tradhtare, njëjtë siç e shpallte Rugovën me komunikatat e tij të 90-tës e tutje”, ka shkruar Osmani në Facebook.

“T’i shërbesh vendit tënd duke e njohur Rugovën si prijës, sipas Thaçit qenka sikur t’i shërbesh Serbisë. Shpallja e kundërshtarëve politik si bashkëpunëtorë të Serbisë i ka paraprirë gjithnjë sulmeve fizike e eliminimeve. E njëjta logjikë, si duket, po synohet të instalohet tash për të arsyetuar sulme të paramenduara e parapërgatitura”, ka shkruar tutje ajo.

Në historinë e Lidhjes Demokratike të Kosovës, thekson ajo, nuk do të ketë njollë më të zezë se sa zgjedhja e këtij njeriu për President të vendit.

“Lidhja Demokratike e Kosovës do të jetë sërish lidhje me popullin vetëm në ditën kur kërkon falje të sinqertë e përkulet para qytetarëve për këtë gabim i cili po e çon vendin tonë drejt humnerës”, ka nënvizuar Osmani.

“Por ky vend nuk i është nënshtruar as regjimeve gjenocidale. Nuk do të dorëzohet as para shpifësve në rolin e Presidentit. E deri ateherë, kur ky popull do ja tregojë vendin secilit, me votë, ky njeri mbetet faqja më e zezë e vendit tonë”, thuhet në reagimin e Osmanit.

Ditëve të fundit, Osmani është cak i sulmeve politike, qoftë nga Thaçi apo zyrtarë të lartë të LDK-së, për shkak të qëndrimeve të saj politike, kundër rrëzimit të qeverisë Kurti dhe kundër formimit të Qeverisë Hoti.

Sonte, gjarpri paska provuar të kafshojë nderin e familjes sime. Babai im e ka njohur për Komandant suprem Dr.Ibrahim…

Posted by Vjosa R. Osmani on Tuesday, 9 June 2020

- Advertisment -

Lexoni