Miratimi i ndihmës nga SHBA ‘trimëron’ Kievin, ministri ukrainas thirrje për luftë: Epoka e paqes
Hoti: Unë do të kryesoj dialogun mbi bazën e kushtetutës
Kompromiset e Kosovës me Serbinë kanë përfundur në vitin 2008, me shpalljen e pavarësisë, ka deklaruar kryeministri Avdullah Hoti. Ai ka prezantuar një platformë për dialogun me Serbinë para Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës duke u zotuar se i gjithë procesi i dialogut do të zhvillohet mbi bazën e Kushtetutës së vendit. Hoti tha se ai vet do të jetë kryesues i procesit, duke sfiduar kështu edhe njëherë rolin e presidentit Hashim Thaçi.
Tri parime kryesore në këtë dialog, sipas tij janë:
1. Integriteti teritorial i panegocueshëm
2. Marreveshja duhet të përfshijë njohje reciproke dhe të garantojë shuarje të konfliktit
3. Marreveshja të jetë në frymën kushtetuese
Synimet në këtë dialog, sipas kryeministrit janë që të sigurohet njohje nga Serbia, si një hap i madh drejt sigurimit të ulëses së Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohjen e saj nga pese vendet anëtre të BE-së të cilat ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë.
“Objektivi ynë është që të iniciojmë të gjitha çështjet e hapura me Serbinë, kompenzimin e dëmeve të luftës dhe zbardhjen e fatit të të pagjeturve”, tha ai, duke besuar se me këtë dialog do të shfuqizohet edhe Rezuluta 1244 e KS të OKB-së.
Ndërsa kryetari i Akademisë së Shkencave, Mehmet Kraja po vlerëson se bazë e dialogut me Serbinë duhet të jetë Kushtetuta e Kosovës, derisa theksoi se ajo që i ka munguar procesit të dialogut ka qenë paqëndrueshmëria e gatishmërisë së Kosovës.
Po në lidhje me dialogun, Presidenti Hashim Thaçi ka deklaruar se beson që nën lidershipin e SHBA-së do të arrihet marrëveshja finale me Serbinë.
“Besoj në zotimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që do të ndërmarrin hapat e duhur në veçanti pas heqjes së të gjitha barrierave që e pengonin fillimin e dialogut Kosovë-Serbi nga ana e qeverisë së Kosovës, tash Serbia nuk e ka asnjë pretekst, përkundrazi çdo vonesë i atribuohet asaj. Roli i presidentit të vendit është ai që ka qenë gjithmonë, presidenti i vendit përfaqëson vendin brenda dhe jashtë, dhe ai që e lexon Kushtetutën dhe e di këtë rol shumë qartë, përgjegjësia dhe hierarkia institucionale e Kosovës është e qartë mbi çdo aspiratë, ego apo injorancë”, tha Thaçi.
Ndërsa për mënyrën se si duhet të veprojë qeveria e Kosovës në këtë çështje, cila duhet të jetë platforma dhe parimet, Thaçi ka thënë se duhet zhvilluar një proces gjithëpërfshirës e në bashkëpunim me opozitën meqë siç theksoi ai vendi ka një qeveri të pakicës shqiptare.
“Ne si spektër politik apo institucional duhet të zhvillojmë një proces të ecjes përpara sa më gjithëpërfshirës, kemi një qeveri të pakicës shqiptare që duhet të punojmë edhe me opozitën dhe në këtë drejtim duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha ai.
Thaçi rikujtoi se në fund të fundit çështja i takon Parlamentit, që çdo marrëveshje e arritur duhet të ratifikohet në institucionin më të latrtë ligjvënës të vendit.