Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Thaçi nuk heq dorë nga lidershipi në dialog
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nuk mendon të zhvendoset nga pozita e liderit të ekipit të Kosovës në dialogun me Serbinë.
Thaçi përsëriti të enjten në Prishtinë se Kushtetuta është e qartë: – “Presidenti e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar”.
Këto komente ai i bëri pas homazheve tek shtatorja e Zahir Pajazitit në Ditën e Çlirimit të Prishtinës, ku është pyetur nga gazetarët se “kush do ta udhëheqë dialogun”.
“Dialogun do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitimë të Kosovës. Duhet të ketë energji pozitive dhe përkushtim. S’jemi në garë me njëri-tjetrin. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, gjithçka është e përcaktuar me Kushtetutë. Autoritetet dhe kompetencat janë të qarta dhe mendoj se në asnjë drejtim s’ka asnjë dilemë”, ka thënë Thaçi.
Sa i përket vizitës në Prishtinë të përfaqësuesit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, Thaçi ka thënë se rreth takimit me të do të përgjigjet pasi të njoftohet me agjendën dhe prioritetet e tij. Ka shtuar se ende nuk ka marrë ndonjë njoftim zyrtar rreth vizitës së Lajçakut.
“Ende zyrtarisht s’jam i informuar, por do ta shohim agjendën dhe prioritetet që i ka në përkushtimin e tij si përfaqësues i BE-së. Pastaj do të përgjigjem si president i vendit. Por, për neve është me rëndësi që përfaqësuesit ndërkombëtarë që merren me këtë çështje ta trajtojnë Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran”.
Presidenti i vendi megjithatë ka vazhduar të shprehë besim tek çasja e SHBA-së.
“SHBA-ja e ka pasur rolin kryesor në liri pavarësi. Kam besim tek lidershipi i presidentit Trump dhe dinamika dhe energjia e ambasadorit Grenell, të cilat do të shënojnë rezultate efektive”.
Duke tërhequr paralele mes BE-së dhe SHBA-së, Thaçi ka thënë se “s’ka kohë për matje të pulseve apo trajtime seminarike për njohje reciproke, por për vendimmarrje historike”.