Mushkolaj: Pushteti i tretë është i eliminuar me këtë marrëveshje

Vetëvendosje shënon përvjetorin me tubim në Prishtinë
Me himnin kombëtar, Lëvizja Vetëvendosje ka mbajtur një tubimin në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Ky tubim është thirrur për 21 Vjetorin e hyrjes së NATO-s apo Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe 15 vjetorin e themelimit të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ish-kryeministri dhe lideri i Lëvizjes Vetëvendosjes, Albin Kurti, tha se edhe 21 muaj të humbur janë shumë, porse 21 vjet janë të pafalshëm.
Kaq ka Kosova që është çliruar nga Serbia, për çka edhe u mbajt manifestimi i Vetëvendosjes, të premten në Prishtinë. U shënua edhe 15-vjetori i themelimit të VV-së.
“Dua të filloj me një falënderim për secilin prej jush që keni ardhur këtu për këtë ngjarje, por edhe ata që na ndjekin përmes ekraneve, po ashtu edhe diasporën. Para 21 vjetësh, këmbësoria e NATOS-s hyri në Kosovë, duke shënuar fundin e luftës dhe çlirimin e Kosovës. Sot kujtojmë dhe festojmë këtë liri që e fituam me gjakun e ushtarëve tonë, me luftën e UÇK-së dhe me sakrificën e gjeneratave të tëra. Sot e kujtojmë edhe gjenocidin, vrasjen e mbi 13 mijë civilëve, zhdukjen po ashtu, përdhunimet masakrat e dëbimin e masiv, djegiet dhe gjymtimin e ekonomisë e infrastrukturës. Sot i jemi falënderues NATO-s”, tha Kurti para të pranishmëve.

Më pas foli edhe për periudhën e pas përfundimit të luftës.
“Pas çlirimit nga okupatori i jashtëm erdhi një sundim nga brenda, njëherë përmes UNMIK-ut, e më pastaj përmes një kaste të politikanëve. Kemi një shtet të cilin politikanët e pasuruar përmes korrupsionit bëjnë jetën e të pasurit në një shtet të varfër dhe një sistem gjyqësor ku blihet drejtësia dhe pastrohen kriminelët”, u shpreh Kurti.
Ish-kryeministri, Albin Kurti, para turmës së mbledhur në sheshin “Skënderbeu”, ka folur edhe për 15 vjetorin e themelimit të Vetëvendosjes. Ka kujtuar edhe parullën me të cilin hodhi hap kjo parti në skenën politike.
“Jo negociata, Vetëvendosje”, ishte parulla e kërkesës sonë të qartë politike për shtet të pavarur e sovran, që nuk negocion me Serbinë për çështjet e brendshme. Ishim gjithmonë për një shtet që vetëvendos për qytetarët e vet. Për 15 vjet kemi pasur shumë pengesa e sfida, kemi marshuar qindra herë për atë që besojmë se është e drejtë e e dimë që është e vërtetë. Kanë rrahur e lënduar mijëra prej nesh, kanë burgosur e malltretuar qindra prej nesh, e kanë vrarë disa prej nesh, në mesin e tyre Astrit Deharin që e vranë në burg, po ashtu, Monin e Arbenin”, tha Kurti.

Kurti tha se kanë bërë gjithnjë rezistencë brenda e jashtë institucioneve të Kosovës.
“Në opozitë kemi marshuar e protestuar kundër padrejtësive, por edhe kemi adresuar probleme e korrupsionit, shtetit të kapur e varfërisë. Jemi bashkë edhe për një president që do të na përfaqësojë të gjithëve. Disa familje kanë kapur të gjitha institucionet. Duam shtet që punon për qytetarin. Më 6 tetor ka ndryshuar politika e qeveria. Nuk do të kthehemi kurrë para 6 tetorit, në politikën e vjetër të gënjeshtrave. Nuk kthehemi para 6 tetorit sepse kemi parë se qeverisja e mirë është e mundur, luftimi i korrupsionit është i mundur, bordet politike mund të jenë pa familjarë, kemi parë se Kosova mund të bëhet shtet normal e që punon për të gjithë, kemi parë që ndryshimi është i mundur”, u shpreh tutje kreu i Vetëvendosjes.
Ndërkohë, në turmën e mbledhur janë dëgjuar brohoritjet “Duam zgjedhje”, dhe “Me hajna, nuk ka shtet”.
Deputeti Liburn Aliu, para turmës së mbledhur të mbështetësve të Lëvizjes Vetëvendosje, tha se sot është tubim i dyfishtë. Për Ditën e Çlirimit të Prishtinës, dhe 15-vjetorit të themelimit të VV-së.
“Jemi popull kryengritës që nuk heq dorë nga liria e tij”, tha ai.
Aliu tha se brenda një viti, kur edhe u themelua, VV-ja ka bërë qindra aktivitete.
“Sot jemi shumëfishuar e jemi të parët, po bëhemi më shumë se gjysma e popullit”, tha Aliu.
Aliu para qindra qytetarëve, tha se “dashurinë për popullin e vjedhur e të vuajtur”, VV-ja gjithmonë e ka pasur.
“Duke qëndruar para qytetarëve populli e kupton se Lëvizje do të thotë të bësh ndryshim të thellë”, tha ai.
Deputetja Saranda Bogujevci, nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci cila mban ende plagë në trup nga forcat serbe, sot në ditën e çlirimit Iu drejtua masës në tubimin e organizuar nga partia e saj.
Bogujevci, të cilës familjen ia vranë serbet, tha se kjo ditë sot është shumë e rëndësishme për të.
“Falë luftës se UÇK-së, ndihmës së NATO, popujve miq në botë, në ketë ditë 21 vite më parë u çliruam nga regjimi i Millosheviqit dhe Serbia. Për herë të parë u çliruam për të qenë të pavarur dhe të lirë. Po në këtë ditë lindi Lëvizja Vetëvendosje, sot gëzon 15 vite të ekzistencës së saj, jam me fat dhe e nderuar që jam pjesë e saj, dhe sot si Lëvizje jam bashkë me ju. Gjithashtu sot në ketë ditë të rëndësishme për ju po e festoj edhe ditëlindjen time”, tha e mbijetuara e luftës së fundit në Kosovë.
Ajo tha se duhet bashkuar në shesh, për të ecur përpara. Tha se do t’i kthejnë dinjitetin vendit.
“Nuk guxon askush të shkel mbi demokraci, mbi sovranin, nuk guxon askush të shkel mbi qytetarët e këtij vendi, shtoi ajo.
Në fund i pyeti të pranishmit nëse janë për zgjedhje, ndërsa përgjigjen e mori “po”.
Ajo tha se shpejt vendi do të shkojë në zgjedhje.