Është lodra më e njohur në botë, por shpikësja e saj nuk ka fituar asnjë

Rasti në Vitomiricë – Dyshohet për vrasje dhe vetëvrasje
Policia e Kosovës ka njoftuar se në fshatin Vitomoricë të Pejës, të shtunën janë gjetur të vdekur një grua dhe një burrë.
Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet se rasti është raportuar të ketë ndodhur rreth orës 17:00, dhe vdekja e tyre është konstatuar edhe nga mjeku.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore dhe prokurori i shtetit i cili e ka cilësuar rastin. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe dy gëzhoja të fishekëve”, thuhet në raportin e Policisë.
Policia shton se me urdhër të prokurorit trupat e pajetë të dy viktimave janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Rasti po hetohet nga organet kompetente.
Ndërkohë, hetimet e para, sipas Prokurorisë, çojnë te dyshimet se personi i gjinisë mashkullore e ka vrarë personin e gjinisë femërore, e më pas ai dyshohet se ka bërë vetëvrasje.
“Dyshimet e para janë që gruaja është privuar nga jeta me armë zjarri, ndërsa i dyshuari pastaj ka kryer vetëvrasje. Këto janë vetëm dyshimet e para. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
Mediat raportojnë se burri ishte rreth të 58-ve, kurse e vdekura, një vajzë rreth 17 vjeçe.