Sveçla: Serbi i arrestuar sot është pjesë e strukturës kriminale “Mbrojtja Civile”

Osmani: Nuk ka negocim për territorin dhe sovranitetin e Kosovës
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar pas takimit që ka pasur me Përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.
Ajo tha se takimi me përfaqësuesin e BE-së ishte shumë produktiv, duke nënvizuar se dialogu me Serbinë duhet t’i ketë vijat e kuqe.
“Patëm një takim shumë produktiv me përfaqësuesin e BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në emër të Kuvendit të Kosovës, shpreha gatishmërinë tonë që si Kuvend, të luajmë një rol të rëndësishëm mbikëqyrës mbi Qeverinë, e cila është e vetmja që duhet ta përfaqësojë Kuvendin, Kosovën, në këtë proces në përputhje me Kushtetutën e vendit”, ka thënë ajo.
Ajo tha se dialogu duhet të jetë i barabartë mes palëve dhe se ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje reciproke.
“Nuk ka negocim për territorin e Kosovës. Nuk ka negocim sovranitetin e Kosovës. Nuk ka negocim të rendit tonë të brendshëm kushtetues. Këto duhet të jenë tri parimet e Qeverisë”, ka thënë ajo.
Lajçak po qëndron në Prishtinë me misionin e BE-së për rinisjen e bisedimeve Kosovë – Serbi, ndërkohë që edhe SHBA tashmë ka marrë një nismë konkrete për realizimin e takimeve mes dy palëve në Uashington, më 27 qershor.