Wednesday, January 19, 2022

Surroi: Problem real mund të jetë që Rusia të kërkojë të jetë e pranishme në dialog

Shkrimtari dhe publicisti, Veton Surroi, ka deklaruar se problem real mund të jetë, që krahas SHBA-së, të kërkojë edhe Rusia të jetë e pranishme në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij Kosova ka gabuar që në kohën kur kishte marrë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për çështjen e Pavarësisë.

“Nuk është dashur që ne të presim që të na sjellë, as Bashkimi Evropian e as SHBA-ja, diçka që ne nuk dëshirojmë. Gabimi kryesor ka qenë në momentin kur është shpallur Pavarësia e Kosovës, Serbia e ka mohuar, ka nisur me djegien e pikave kufitare. Pushteti ka thënë se ne nuk do të ndërmarrim vendim tjetër dhe do ta dërgojmë në GJND. Meqenëse e ka dërguar atje, pra ajo është forma e prerë juridike e një procesi politik. Në atë moment Kosova është dashur që ta marrë atë vendim duke thënë dakord, ja e kërkuat, ky është vendimi juridik”, ka deklaruar Surroi.

“Në vend të saj Kosova u pajtua me procesin politik që e inicio prapë Serbia për delegjitimimin dhe vendosjen e dyshimit juridik mbi Pavarësinë. Dhe kjo është nonsens. Kosova i ka bërë dëm vetes dhe vazhdon ta bëjë nëse nuk përcakton se çfarë do të jetë natyra e bisedimeve me Serbinë në të ardhmen”.

Ai ka shtuar se ka nevojë për dialog, por ka nevojë për strukturim të dialogut në atë mënyrë që do të vendosë marrëdhënie ndërshtetërorë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë brenda një kornize ku mund të ndihmojë SHBA-ja dhe BE-ja.

Surroi gjithashtu ka theksuar se Kosova duhet të kërkojë që të ketë një konsensus ndërmjet SHBA-së dhe BE-së, pasi s’mund të ketë dy procese paralele.

“Grenelli ka premtuar se SHBA-ja duan të ndihmojnë rigjenerimin ekonomik. Më duket flitet për 200 milionë dollarë, shumë mirë, por Kosova do të duhej të jepte ide që të jetë me e efektshme për të dyja palët. Na presin dy procese ndërtimi të konsensusit. I pari është ai ndërmjet SHBA-së dhe Bashkimit Evropian, nuk mund të ketë dy procese paralele. Mund të ndihmojmë, mund t’u kërkojmë që të ketë dakordim. Duhet të kërkojmë, sepse s’mund të ketë dy procese paralele, sepse neve nuk na konvenojnë”, ka thënë publicisti Surroi.

“Ekziston një proces që është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ky i Brukselit. SHBA-ja është pajtuar që këtë ta përkrahë, ne kemi kërkuar që roli i SHBA-së të jetë më i madh, mes të tjerash edhe për shkak të dështimit të BE-së. Problem real mund të jetë që krahas SHBA-së të kërkojë edhe Rusia të jetë e pranishme, siç edhe ka kërkuar”.

Tutje ai ka thënë se nuk duhet të pritet që një marrëveshje e dëmshme, e mundshme, të sillet në Kuvend, pasi tashmë është parë se janë ratifikuar edhe marrëveshje të dëmshme.

“Harrojnë se ka pasur marrëveshje të këqija dhe janë ratifikuar. Një Kuvend i kaluar e ka ratifikuar një marrëveshje të dëmshme. E ka ratifikuar marrëveshjen e Brukselit dhe tash kemi obligim juridik me Asociacionin. Nuk duhet besuar se përfaqësuesit tanë do ta mbrojnë kauzën, sepse ky besim blanco është treguar i dëmshëm. Në 10 vitet e fundit se përfaqësuesit tanë të prirë nga Hashim Thaçi mund të krijojnë marrëveshje të dëmshme dhe i kanë krijuar, andaj pse ti besohet përsëri”, ka thënë Surroi.

- Advertisment -

Lexoni