Liberalizimi i vizave në fazën finale, më 18 prill votohet në Parlamentin Evropian

The Wall Street Journal: Trump, nikoqir i “samitit të paqes” ndërmjet Kosovës dhe Serbisë
Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar në Shtëpinë e Bardhë krerët e dy vendeve në Ballkan, në një përpjekje për të ndërmjetësuar një marrëveshje, pas mosmarrëveshjeve me dekada, të cilat edhe nxitën një ndërhyrje ushtarake amerikane në rajon.
Kështu e fillon shkrimin mediumi prestigjioz amerikan, The Wall Street Journal, sipas të cilit përkundër krizave, të trazirave mbarëkombëtare dhe përhapjes së coronavirusit, zoti Trump shpreson të sigurojë një traktat të qëndrueshëm zyrtar të paqes në një rajon që ka qenë një pikë e parë për rivalitetet e superfuqive, për të përmirësuar kredencialet e tij të politikës së jashtme, sipas zyrtarëve amerikanë.
Por, siç shkruan më tej WSJ, përcjell Telegrafi, hapja e re në bisedimet midis Kosovës – të mbështetur nga SHBA, si dhe Serbisë fqinje – një aleate e Rusisë, tashmë po nxit polemikë në Evropë, ku diplomatët kanë frikë se Bashkimi Evropian do të mënjanohet “në oborrin e shtëpisë së vet”.
Në këtë drejtim, mediumi amerikan tregon se Serbia konfirmoi se kishte marrë ftesën për t’u takuar në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor.

Po sipas mediumit në fjalë, kryeministri i rrëzuar kohët e fundit i Kosovës, Albin Kurti, akuzon Richard Grenell — i dërguari special i Trump për rajonin i cili do të koordinojë takimin e Shtëpisë së Bardhë — për orkestrimin e një “grusht shteti” kundër tij, gjë që zoti Grenell e mohon.
Gjithashtu, sipas WSJ, disa udhëheqës evropianë thonë se marrëveshja e mundshme krijon një precedent të rrezikshëm sepse ata kanë frikë se mund të përfshijë një shkëmbim territoresh.
Ndërkohë, kryeministri i ri i Kosovës, Avdullah Hoti, i cili u betua në 3 qershor, tha për Wall Street Journal se qeveria e tij mezi priste të hynte në negociata nën patronazhin e SHBA-së.
The Wall Street Journal vlerëson se z. Trump “e pa si një interes personal” këtë çështje vitin e kaluar, pasi liderët nga të dy vendet iu afruan administratës, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Kështu që, siç vlerësohet më tej, zgjidhja e mosmarrëveshjes së gjatë do t’i jepte një “mbështetje” zotit Trump përpara zgjedhjeve, besojnë zyrtarët e administratës, pasi bisedimet me Korenë e Veriut dhe presioni ndaj Iranit deri më tani kanë dhënë rezultate të kufizuara.