Monday, June 27, 2022

Maqedoni e Veriut, 9 të vdekur nga COVID-19 gjatë një dite

Maqedonia e Veriut vazhdon të ketë shifra të larta shqetësuese jo vetëm në rajonin e Ballkanit por edhe në të gjithë Evropën për nga numri i të infektuarve me COVID-19 dhe viktimat si pasojë e virusit.

Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 9 viktima dhe 193 raste të reja. Kështu, numri i përgjithshëm i personave që humbën betejën me koronavirusin në këtë vend shkon në 210, ndërsa që nga shpërthimi i pandemisë janë prekur 4482 persona, prej tyre 2524 mbeten raste aktive, ndërsa 1757 pacientë janë shëruar.

Viktimat e fundit janë nga Shkupi – 5, nga Kumanova – 2, dhe nga 1 në Tetovë e në Ohër. Njëri nga ta është i moshës 47 vjeçe; të tjerët nga 61 deri në 85 vjeç.

Harta e zonave të prekura nga koronavirusi mbetet e njejta që prej para disa javësh me Shkupin që është në krye të listës, ku vetëm gjatë ditës së fundit u shënuan 140 raste, më pas vijon Tetova, Kumanova, Shtipi, Struga, Ohri, Velesi, etj.

Instituti i Shëndetit Publik, ndërkohë ka regjistruar 46 pacientë të shëruar. Autoritetet shëndetësore kanë bërë më shumë se 45 mijë teste deri tash.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha të mërkuren në një konferencë shtypi se kjo është kriza më e madhe shëndetësore deri tash, “por kemi njohuri dhe kapacitet për ta menaxhuar dhe kapërcyer atë. Kërkojmë durimin dhe mirëkuptimin e qytetarëve. Të gjitha forcat i kemi drejtuar kah kjo krizë për të dalur prej saj”, u shpreh z. Filipçe, duke bërë të ditur se po punohet në mënyrë intensive për identifikimin e kontakete të pacientëve që duhet të testohen dhe izolohen;

Ministri i Shëndetësisë tha se përveç Shkupit dhe pjesërisht Tetovës, të gjitha zonat tjerat janë të qëndrueshme.

Ai la të kuptohej se për sa i përket shtimit të numrit të pacientëve, të gjitha masat e duhura janë zbatuar dhe nuk është bërë ndonjë gabim apo lëshim gjatë protokolleve dhe trajtimeve, se janë identifikuar me kohë rastet dhe shumica e kontakteve të tyre, por se “vala e dytë erdhi më herët se ç’e prisnim”, sipas ministrit.

Dhjetra prej të prekurve nga koronavirusi janë punonjës shëndetësorë. Kjo ka bërë që mjekë, specialistë të transferohen në dy spitalet e Shkupit nga qytete të tjerë të vendit.

- Advertisment -

Lexoni