Nemanja Millosheviq për Geopost: Vuçiq pret Putinin në Danub dhe Trumpin në Shtëpinë e Bardhë,

Qeveria u kërkon institucioneve publike e private të reduktojnë stafin
Rritja e numrit të rasteve me Covid-19 ka shtyrë Qeverinë e Kosovës që t’i obligojë institucionet private dhe publike që të organizojnë në distancë punën me stafin dhe bartjen e maskave si pjesë e luftës për parandalimin e coronavirusit. Aktualisht Kosova po përballet me paraqitjen e numrit më të lartë të rasteve të reja me koronavirus që nga shpërthimi i pandemisë në muajin mars.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë, me kërkesë të Ministrisë së Shëndetësisë është përkrahur vendimi që të gjitha institucionet publike dhe private të organizojnë punën me stafin e tyre duke respektuar distancën ose online nga shtëpitë e tyre.
“Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 është shqetësuese. Mungesa e vëmendjes për parandalim të përhapjes së virusit po vë në rrezik jetët e shumë qytetarëve me ndjeshmëri të lartë, sidomos të gjyshërve e gjysheve tona”, tha kryeministri Avdullah Hoti.
Ai prezantoi më pas këto masa:
-Obligohen institucionet publike dhe private që të organizojnë punën në distancë apo nga shtëpitë
-Të reduktohet stafi
-Të shtohen kontrollet nga inspektoratet
-Të gjitha institucionet obligohen të shtojnë kontrollet në hyrje të çdo institucioni
-Maskat janë obligative gjatë gjithë kohës në hapësira publike
-Puna në institucione duhet të organizohet në përputhje me Manualin e Ministrisë së Shëndetësisë
Kurse, ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj tha se kjo bëhet me rekomandim të IKShP-së, ku shtoi se të gjithë institucionet publike e private obligohen të shtojnë kontrollet rigoroze për bartje të maskave.
“Me qëllim të parandalimit të përhapjes IKSHPK na ka rekomanduar neve si Ministri e Shëndetësisë, të përkrahim vendimin që të gjitha institucionet publike e private obligohen të organizojnë punën me stafin e tyre në distancë fizike apo nga shtëpitë, online, që nënkupton të reduktohet stafi. Të gjitha institucionet publike dhe private të shtojnë kontrollet rigoroze të bartjes së maskave”, tha Zemaj.