Saturday, June 25, 2022

Kisha Ortodokse Serbe ngrit tensionet në Mal të Zi

Në Mal të Zi, situata mbetet sërish e trazuar si pasojë e paralajmërimit të protestave të reja të Kishës ortodokse Serbe, të cilat që nga e diela do të mbahen nëpër disa qytete të vendit. Ndërkohë policia e Ulqinit paraqiti padi ndaj kryepeshkopit të kishës për ndërtimin e një objekti fetar pa leje në fshatin Zogaj të Ulqinit. Kurse, zyrtarët malazezë nuk e përjashtojnë mundësin që në situatën kur cenohet qëndrueshmëria në vend të kërkojnë edhe ndihmën e NATO-s.

Në Mal të Zi situata mbetet sërish e trazuar si pasojë e nisjes së protestave nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila shpreh pakënaqësi me ligjin e fesë, që në dhjetor të vitit të kaluar u miratua në parlamentin malazez.

Kjo gjendje i ka tensionuar edhe më shumë marrëdhëniet ndërmjet e Podgoricës dhe Beogradit, të cilat fajësojnë njëra tjetrën për situatën e krijuar.

Zyrtarët malazezë nuk e përjashtojnë mundësinë që në situatën kur cenohet qëndrueshmëria në vend të kërkojnë edhe ndihmën e NATO-s. Në një konferencë me gazetarë, ministri i jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq nuk e përjashtoi mundësinë që në rast nevoje të kërkohet ndihma e NATO-s.

“Besoj në marrëveshjet e qeta dhe politike midis dy vendeve, por nëse është nevoj në kuadër të NATO-s ka shumë mekanizma që mund të shfrytëzohen”, tha Darmanoviq.

Edhe presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq të martën qëndroi në Bruksel me rastin e trevjetorit të anëtarësimit në NATO ku u fol për sfidat e sigurisë në Mal të Zi dhe rajon.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, vuri në dukje se anëtarësimi i Malit të zi në NATO është tejet i rëndësishëm për sigurinë por edhe për përparimin e këtij vendi.

Ndërkohë, Kisha ortodokse Serbe vazhdon të shkaktojë tensione në Mal të Zi duke provokuar edhe në mjediset me popullatë shumëfetare. Policia e Ulqinit, bëri të ditur se të enjten paraqiti padi penale ndaj kryepeshkopit të KOS-it në Mal të Zi, Amfilohije Radoviç. Ky veprim është ndërmarrë për shkak të veprës penale të ndërtimit të objektit fetar pa leje ndërtimi, i cili është bërë pranë një manastiri në fshatin Zogaj të Ulqinit.

Një ditë më parë inspekcioni shembi objektin e ndërtuar pa leje, i cili sipas Ministrisë së Turizmit ishte në kundërshtim me Ligjin për Planifikimin Hapësinorë të Malit të Zi.

KOS e cilësoi si sulm të paramenduar në rrënimin dhe konfiskimin e pronës së saj dhe ka paralajmëruar protesta të reja për të dielën me 14 qershor në disa qytete të malit të Zi.

Këtë paralajmërim autoritetet malazeze e shohin si një sulm të ri ndaj shtetit dhe institucioneve të tij me pasoja për shëndetin e qytetarëve përkundër masave të vendosura në parandalimin e pandemisë COVID-19.

Protestat pasuan një periudhë tensionesh të larta ndërmjet KOS dhe qeverisë së malit të Zi, për shkak të Ligjit për Lirinë Fetare që u miratua në fund të dhjetorit të vitit të kaluar.

- Advertisment -

Lexoni