Palca juaj kurrizore mund të mësojë dhe të kujtojë pa kontributin e trurit dhe ne
Përplasje gjermane – amerikane për Kosovën
Nisma e Administratës së Presidentit Donald Trump për mbajtjen e takimit mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë më 27 qershor, po vazhdon të shihet nga prizma të ndryshëm në Evropë.
Së fundit, është ashpërsuar përplasja mes të dërguarit të posaçëm të Presidentit Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell dhe Raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Vona Cramon i quajti përralla deklarimet e Grenellit se ideja për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi ishte e ish-këshilltarit të Trumpit, John Bolton, dhe jo e vetë presidentit.
Von Cramon pas postimit kritikues kishte vazhduar polemikat me përdorues të Twitterit, me njërin nga postimet duke vënë në pikëpyetje “rezultatet për marrëveshjet që Grenelli kishte arritur mes dy vendeve në të kaluarën, duke theksuar atë për linjat ajrore dhe hekurudhore”.
Më pas, Grenelli duke iu përgjigjur Cramonit, ka thënë se në vend se të ketë kritika, ajo duhet të merret me çështjet që i takojnë, duke ia përmendur liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Viola, në vend se të kritikoni çdo gjë që Administrata Trump bën për të normalizuar ekonomitë e Kosovës dhe Serbisë, përse nuk përqendroheni në të vetmen gjë që është dashur ta bëni: liberalizimin për Kosovën. Jeni ankuar për të tjerët qe 20 vjet. Bëni pjesën tuaj!”, ka qenë përgjigja e Grenellit.
Sidoqoftë, Viola Von Cramon, ka shprehur hapur dyshimet në deklaratat e Grenellit, sidomos ato në lidhje me idenë e shkëmbimit të territoreve.
Në një përgjigje të ashpër ndaj një postimi të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti në Twitter, Von Cramon ka thënë se në Kosovë liderët duhet t’i thërrasin mendjes e të merren seriozisht me politikën e jashtme.
“Mbrëmë Richard Grenell kishte thënë se shkëmbimi i territoreve në mes të Kosovës dhe Serbisë ishte ide e John Boltonit dhe lobistëve dhe tani atij i duhet të luftojë spekulimet dhe se kjo nuk ishte politikë e Donald Trumpit. Kur isha në krye të ekipit negociator, asnjë përfaqësues i SHBA-së nuk ka përmendur ndonjëherë shkëmbimin e territoreve”, ka shkruar Ahmeti sot gjatë ditës.
Por, Van Cramon ka reaguar duke thënë se popullit nuk duhet t’iu flitet më për këto çështje, por ka ardhur koha që të ketë seriozitet në politikën e jashtme.
“Sigurisht është faji i John Boltonit që njerëzit flasin për shkëmbime territoresh. Tani të gjorit Richard Grenell i duhet të luftojë këto spekulime… lëre. Thirrni mendjes e mos u tregoni më njerëzve këso përralla. Bëhuni serioz në politikën e jashtme më në fund. Ka ardhur koha”, ka shkruar ajo.
Deklarimet e Grenellit vijnë pak ditë para takimit të Kosovës dhe Serbisë në SHBA, i paralajmëruar për 27 qershor.