Thursday, July 7, 2022

11 viktima të reja nga COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

11 viktima të reja janë regjistruar në Maqedoninë e Veriut, si pasojë e koronavirusit, ndërsa 185 raste të reja janë identifikuar brenda 24 orëve të fundit që e çojnë numrin e përgjithshëm në 5005 persona të prekur deri tani. Prej tyre 2686 mbeten raste aktive. Ndërkohë, numri i viktimave, që nga shpërthimi i epidemisë është ngritur në 233. Personat, të cilët nuk i mbijetuan sëmundjes janë 8 nga Shkupi, 1 nga Tetova dhe 1 nga Kumanova e Shtip. Mosha e tyre është nga 53 në 78 vjeç.

Autoritetet shëndetësore maqedonase thonë se kanë bërë mbi 50 mijë teste. Megjithatë, vendi vazhdon të shënojë ngritje të kurbës së infeksioneve nga virusi, duke qëndruar në krye të listave përsa krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por dhe më gjerë.

Krahas dy spitaleve në Shkup ku janë shtruar pacientët e prekur, po bëhen përgatitjet për hapjen e shpejtë edhe të Spitalit të Fëmijëve për pranimin e pacientëve me COVID-19. Në Klinikën e sëmundjeve infektive janë të shtrirë 101 pacientë, prej të cilëve 46 janë vënë në oksigjen; në spitalin “8 Shtatori” janë shtrirë 33 pacientë prej të cilëve 5 në respirator.

Komuna e Çairit në Shkup, ku mbizotëron komuniteti shqiptar, është ndër më të prekurat nga koronavirusi në të gjithë vendin. Kryetari i Bashkisë së Shkupit, Petre Shilegov, ka rezultuar pozitiv ndaj virusit, po ashtu.

Dhjetra pacientë ndodhen të shtrirë nëpër spitalet e Tetovës, Kumanovës, Shtipit, Gostivarit, Ohrit e Manstirit, ndërkohë që rastet më të rënda dërgohen për trajtim në Shkup.

Nga ana tjetër, në Dibër (të Madhe) është shënuar sërish një vatër e koronavirusit. 18 raste të reja janë regjistruar atje, pasi numri i të prekurve ishte ulur dukshëm deri para pak ditësh. Në Tetovë janë regjistruar 14 raste të reja brenda 24 orëve të fundit.

Qeveria në Shkup ka zgjatur orarin e punës së restoranteve, kafeneve dhe objekteve gastronomike në një kohë kur gjendja ka marrë përmasa shqetësuese dhe ka një shpërfillje të dukshme të masave dhe protokolleve nga qytetarët dhe pronarë kafenesh.

Ministria e Shëndetësisë ka bërë të ditur se do të publikojë emrat e atyre personave të cilët nuk zbatojnë urdhërat për vetëizolim, japin adresa dhe kontakte të rreme apo refuzojnë të pranojnë vendimet për izolim.

- Advertisment -

Lexoni