Është lodra më e njohur në botë, por shpikësja e saj nuk ka fituar asnjë

Shkarkohet Vjosa Osmani – Vërshojnë reagimet
Me kërkesën e Isa Mustafës, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka vendosur ta shkarkojë Vjosa Osmanin nga pozitat e saj në Kryesinë e kësaj partie. Osmani ishte nënkryetare e LDK-së dhe anëtare e Kryesisë. Me kërkesën e Mustafës, ajo është pasuar nga Avdullah Hoti, kryeministër aktual i Kosovës dhe një njeri i afërt me Isa Mustafën dhe Agim Veliun.
Vjosa Osmani është edhe kryetare e Kuvendit të Kosovës, e zgjedhur në këtë pozitë si pjesë e marrëveshjes së dikurshme mes LDK-së dhe Vetëvendosjes për bashkëqeverisje.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej të cilëve 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim.
Në bazë të këtij vendimi, Vjosa Osmani, kryetare e Kuvendit të Kosovës është shkarkuar nga Kryesia e LDK-së duke u zëvendësuar me Avdullah Hotin.
Shkarkimi i Osmanit, nga deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli, është cilësuar skandaloz.
Avdyli tha se secili aktivist i LDK’së, këtë votim duhet ta trajtojë si sondazh të pavlerë derisa ky votim të mos merret sipas rregullave demokratike.
Propozimi për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga këto pozita erdhi nga kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, drejtuar Këshillit të Përgjithshëm të partisë me arsyetimin se Osmani doli kundër qëndrimeve të partisë, duke mos votuar qeverinë e kryeministrit aktual, Avdullah Hotit.
Osmani për një kohë kishte prishur raportet me Isa Mustafën kur nuk e kishte votuar për Kryeministër në dhjetor të vitit 2014.
Shkarkimi i Osmanit, nuk ka kaluar pa reagime as nga shoqëria civile. Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës ka shkruar në Facebook se shkarkimi i Vjosa R. Osmani eshte cenim i drejtperdrejt i frymes se demokracise.
“Nuk duhet te kihet frike nga diversiteti. Ne fakt kur mendimi ndryshe mungon dhe shtypet atehere duhet te shqetesohemi. Mentaliteti perjashtues nuk sjell as ndryshim as progres”, ka shkruar Krasniqi.
Edhe analisti Armend Muja ka shkruar në Facebook se ky vendim ka ardhur për disa arsye, duke përmendur edhe një lloj kompenzimi për Hashim Thaçin, i cili ishte më meritori për formimin e qeverisë së re që udhëhiqet nga LDK-ja dhe Avdullah Hoti, të cilën Osmani e kishte kundërshtuar.
Edhe anëtari tjetër i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, Faton Peci, ka dalë kundër propozimit të Mustafës. Ai ka thënë se “tendenca e re mund të përfundojë projektin e quajtur LDK dhe kauzën, Liri, Pavarësi, Demokraci”.
Po ashtu edhe anëtari i Kryesisë së LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka votuar kundër propozimit që Vjosa Osmani të shkarkohet nga posti i nënkryetares së partisë, që ua dërgoi Këshillit të Përgjithshëm për votim kryetari Isa Mustafa. Ai tha se LDK-së nuk i sjell dobi largimi i figurave kryesore dhe se mospajtimet janë të mundshme.
“LDK-së i duhet unitet. Çdo mospajtim është i zgjidhshëm. Unë nuk besoj se largimi i figurave kryesore të partisë nga pozitat udhëheqëse na sjellë ndonjë dobi. Përkundrazi, çdo largim i tillë na bën më të dobët e më të ligë. LDK nuk ka njerëz në tepricë; LDK ka nevojë për njerëz me shumë; sidomos tani, sidomos të profilit të tillë”, ka thënë ish-ministri.
Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, ka dalë kundër propozimit për shkarkimin e Vjosa Osmanit nga pozita e nënkryetares së LDK-së. Ai e ka vlerësuar këtë si momentin më të rëndë në histori të partisë.
“Lidhja Demokratike e Ibrahim Rugovës nuk e ka pasur praktikë të përjashtojë njerëzit e vet aq më pak, Nënkryetaren e vet, Kandidaten e parë grua për Kryeministre për shkak të mendimit ndryshe. Në ADN e LDK-së është liria e mendimit, liria e individit. Dr. Vjosa Osmani ka mbrojtur parimet për të cilat ka kërkuar besimin e votuesve të LDK.