Dëmtohet rëndë në stërvitje, a do ta blejë PSV lojtarin e Barçës?
Von Cramon nuk ndal polemikat – Kësaj radhe i drejtohet Pacollit për liberalizimin e vizave
Eurodeputetja gjermane, Viola von Cramon, e cila është edhe Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian, nuk pushon së replikuari përmes rrjeteve sociale me përfaqësues të Kosovës dhe ambasadorin amerikan, Richard Grenell në lidhje me nismën amerikane për vazhdimin e dialogut Kosovë – Serbi. E bindur se Grenell po përpiqet të arrijë një marrëveshje të dëmshme për Kosovën, Cramon nuk i kursen as politikanët kosovarë që qëndrojnë në krah të Grenellit.
Një ditë më parë, ajo ka polemizuar në rrjetin social Twitter me Emisarin Special të Presidentit Trump, Richard Grenell rreth marrëveshjeve të arritura mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me autostradën, linjën ajorore dhe hekurudhën mes dy shteteve, ndërkohë që ka qortuar edhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli lidhur me qëndrimin e Presidentit Macron për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Von Cramon e ka pyetur Emisarin Richard Grenell se ku janë rezultatet e këtyre marrëveshjeve të nënshkruara nën mbikëqyrjen e këtij të fundit.
Ndërkaq, Richard Grenell i ka replikuar duke i thënë se pse Bashkimi Evropian nuk i liberalizon vizat për Kosovën në vend se të kritikoni administratën Trump.
Pas kësaj ka shkruar edhe ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli duke thënë se është momenti i fundit që pas rekomandimit të Komisionit Evropian, shtetet e BE’së ta japin dritën e gjelbër për liberalizim të vizave.
Pas kësaj eurodeputetja ka reaguar sërish ndaj Pacollit, duke thënë se është në dorën e Këshillit të Bashkimit Evropian heqja e vizave të Kosovës, por për këtë çëshjte pyeteni Presidentin e Francës, Emmanuel Macron se pse ngurron në dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovë.
“Siç ia shpjegova, Richard Grenellit, është në dorën e Këshillit të Bashkimit Evropian të vendosë për këtë çështje. Fatkeqësisht. Por nëse ju dëshironi të luani një rol konstruktiv këtu, thirreni në telefon Presidentin Emmanuel Macron pse ai është kaq hezitues për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën. Ju do të befasoheni me përgjigjen e tij”, ka shkruar Von Cramon.
Paralelisht me nismën amerikane për dialogun, ka edhe një nismë gjermano-franceze, e cila synon që delegacionet nga Kosova dhe Serbia t’i mbledh në një takim në Paris, me 17 korrik.